Extra Vendi ku është ende viti 2016. Ja cila është arsyeja

Vendi ku është ende viti 2016. Ja cila është arsyeja

Më 11 shtator, Etiopia do të festojë fundin e një viti dhe fillimin e një viti tjetër. Megjithatë, kur vendi i Afrikës Lindore të festojë Vitin e Ri pas disa muajsh, teknikisht do të jetë viti 2017, sipas kalendarit të tyre.

Etiopia, vendi i dytë më i populluar i Afrikës, është shtatë vjet e tetë muaj “prapa” pjesës më të madhe të botës. Arsyet lidhen me traditat vendase që datojnë shekuj më parë.

Populli etiopas vepron sipas një kalendari unik, ku viti i lindjes së Jezu Krishtit shënohet shtatë ose tetë vjet më vonë nga kalendari gregorian ose “perëndimor”, i cili u prezantua nga Papa Gregori XIII në vitin 1582. Sipas ekspertëve, Kisha Romake e rregulloi llogaritjen e saj në vitin 500 të e.s, ndërsa Kisha Ortodokse e Etiopisë zgjodhi t’u përmbahej datave të lashta.

“Ne jemi unikë. Kemi kalendarin tonë, alfabetin tonë dhe sigurisht traditat tona kulturore”, thonë vendasit.

Kalendari i tyre unik zgjat 13 muaj, ku 12 prej tyre zgjasin 30 ditë. Muaji i fundit përbëhet nga vetëm pesë ditë, ose gjashtë ditë gjatë një viti të brishtë.

Por nuk janë vetëm muajt, ditët dhe vitet që ndryshojnë në Etiopi. Vendi gjithashtu funksionon me sistemin e vet të kohës. Nëse shumica e vendeve e fillojnë ditën e tyre në mesnatë, etiopiasit përdorin një sistem 12-orësh që funksionon nga agimi në muzg, duke filluar nga ora 1 e mëngjesit.

Megjithatë, kalendari tradicional etiopian nuk është i vetmi kalendar i veçantë, pasi shembull i ngjashëm është kalendari i lashtë egjiptian, ku viti 2024 korrespondon me vitin 6266. Gjithashtu, Arabia Saudite ka pasur tradicionalisht prioritet kalendarin Hixhri, i përbërë nga 12 muaj dhe 354 ditë, por kohët e fundit miratoi përdorimin e kalendarit Gregorian për marrëdhëniet zyrtare.

Po a do ta ndryshojë ndonjëherë vendi këtë kalendar për t’u përshtatur me vendet e tjera të botës?

Sipas studiuesve, Etiopia është një vend i krishterë shumë konservator dhe vendasit nuk interesohen shumë për zhvillimet në perëndim.

Duke e respektuar kalendarin e tyre si një traditë shumë të lashtë e të ruajtur me fanatizëm, do të ishte e vështirë që populli i Etiopisë ta ndryshojë këtë kalendar unik.