Ndërsa pjesa më e madhe e shteteve në botë janë duke u përballur me masa të rrepta, për shkak të shtimit të rasteve të reja me koronavirus, si dhe motit të keq, me temperatura të ulëta e dëborë, e kundërta ndodh në Australi. Ky kontinent të jep përshtypjen se është nga një tjetër planet.
Tashmë, prej një jave, në Australi nuk është regjistruar asnjë rast i ri i transmetimit komunitar të Covid-19. Një ditë pa një rast të ri me koronavirus duket e pamundur në vende të tjera të botës, ndërsa në Australi është duke u kthyer në normalitet.
Pavarësisht situatës që është duke shkuar në normalitet, qeveria australiane është duke punuar edhe për sigurimin e vaksinave, ku deri tani ka blerë 58,8 milionë doza nga “AstraZeneca”.
Të dielën, u regjistruan tre persona të infektuar të ardhur nga jashtë vendit, të cilët u vendosën menjëherë në karantinë, në hotel.
Ndërkohë, në shtetin e Viktorias janë shënuar 18 ditë pa asnjë rast me Covid-19. Në anën tjetër, moti i ngrohtë ka bërë që qytetarët të dynden rreth plazheve gjatë fundjavës, me kufizimet e lehtësuara ndjeshëm tashmë.