Ministria e Brendshme ka bërë dy ndryshime absurde dhe antiligjore për studentët e Akademisë së Sigurisë.
Si fillim, Ministria ka ndryshuar pagesën e studentëve për gradën “nënkomisar”. Ministria ka vendosur që t’iu heqë atyre rrogën e plotë që duhej të merrnin, pasi ata janë në marrëdhënie pune, ndërkohë që po ndjekin studimet, ka vendosur ti paguajë ata me vetëm 17 000 lekë te në muaj.
Ky ndryshim është pritur me polemika nga studentët. Për arsyen se jo vetëm që janë në marrëdhënie pune, por edhe se kjo shifër është qesharake për të përballuar jetesën. Aq më tepër që shumica e studentëve janë me eksperiencë në polici, ndërsa kanë krijuar familjet, dhe me këtë pagë nuk mund të paguajnë shpenzimet mujore për ushqime, pa llogaritur shtëpitë me qera, apo për të paguar kredinë.
“Rreth 80 për qind e studentëve që vazhdojnë Fakultetin, jemi me moshën mesatare rreth 30 vjeç, familje të sapoformuara, me fëmijë të vegjël. Shumica prej nesh jemi me qira, disa jemi me kredi në banka dhe një pjesë tjetër e jona i kemi bashkëshortet pa punë dhe paga jonë si punonjës Policie është e vetmja e ardhur që mban familjen. Kjo pagë nuk mjafton dhe nuk përballojmë dot nevojat minimale familjare dhe kërkesat për të bërë një jetesë normale. Vetëm pagesat e faturave të energjisë elektrike dhe ujësjellësit na marrin gjysmën e kësaj page”, thonë studentët.
Ndryshimi i dytë që ka nxitur revoltën e studentëve, është zgjatja e vitit akademik. Nga 6 muaj që ishte viti akademik, ministria ka vendosur ta zgjasë atë në 9 muaj.
Studentët janë kundër këtij ndryshimi, pasi sipas tyre, rregullat u janë ndryshuar gjatë “lojës” pasi ata kishin firmosur në kontratë për 6 muaj vitin akademik. Aq më tepër edhe raste, që persona civilë që janë emëruar oficerë në vetëm 6 muaj. “Nuk pajtohemi me këtë standard të dyfishtë të vendosur nga Ministria e Brendshme”, thonë studentët.