Qytetarët e bashkive të Urës Vajgurore, Prrenjasit, Libohovës dhe Devollit do të kenë mundësi të përfitojnë asistencë ligjore dhe ekspertizë teknike gjatë diskutimit të vendimeve që merren nga këshillat bashkiakë. Ndihma ligjore dhe teknike do të ofrohet si për organizatat e shoqërisë civile, ashtu edhe për qytetarët, gjatë fazave të ndryshme të diskutimit në “parlamentet” e 4 bashkive.
Platforma e ndihmës dhe asistencës për qytetarët e organizatat vendore do të ofrohet nga qendra “Lex Ferenda”. Anjeza Gashi, drejtuesja e projektit nga qendra “Lex Ferenda”, u shpreh se organizatat vendore do të asistohen nëpërmjet ekspertizës së vazhdueshme ligjore dhe teknike për vendimmarrjet në agjendën e këshillave bashkiakë, ndërsa do të ofrohen edhe komente e vlerësime për dokumentet publike, strategjitë dhe planet. “U bëhet thirrje të gjithë qytetarëve të këtyre bashkive dhe organizatave që të na shkruajnë për t’i asistuar”, tha Gashi.
Synimi do të jetë që vendimet e këshillave bashkiakë të UrësVajgurore, Prrenjasit, Libohovës dhe Devollit të shoqërohen me diskutime sa më të zgjeruara dhe të jenë sa më të efektshëm gjatë zbatimit në praktikë. Në platformën e ngritur (http://www.lexferenda.al/sq/projektet/helpdesk/) qytetarët do të kenë mundësitë pyesin për të marrë informacion lidhur me nisma të ndryshme të bashkive ku jetojnë.
Të katër bashkitë po zbatojnë një projekt të financuar nga Bashkimi Europian që synon të japë kontribut në përmirësimin e procesit të politikë-bërjes dhe vendimmarrjes vendore, në drejtim të cilësisë, gjithë përfshirjes dhe transparencës. Ndihma për përmirësimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje është, më së shumti, e nevojshme në bashkitë më të vogla, që vuajnë nga mungesa e fondeve të duhura, burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe angazhimit e bashkëpunimit me shoqërinë civile, komunitetet lokale ose palët e interesuara.