Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, ka raportuar në Kuvend këtë të hënë për punën e institucionit që ai drejton gjatë vitit 2020.
Kraja u pyet nga deputeti Ralf Gjoni rreth rezultateve të SPAK dhe nëse prokuroria e posaçme do të fillojë procedime penale për vendimet “non grata” që kanë ardhur nga SHBA-ja. Kraja garantoi deputetin se për çdo indicie apo materiale që do të ketë në dispozicion do të ndiqen deri në fund.
Ralf Gjoni: Kur mendoni se do të vijë kjo ditë, që shqiptarët të keni besim të plotë te institucioni juaj dhe institucionet e drejtësisë shqiptare? Kur mendoni se do fillojnë të procedohen penalisht “peshqit”? A keni shpresë se do ketë hetime në 2-3 vitet e ardhshme ndaj disa përfaqësuesve të krimit të organizuar, që sot ende bëjnë ligjin në ambiente politike? Nga gjithë lista e personave “non grata” të shpallura nga DASH, Shqipëria është ndër të paktat vende ku këto persona nuk kanë pasur një procedim penal para se të shpalleshin “non grata”. Përveç Adriatik Llallës emrat e tjerë janë të paproceduar. Është domethënëse fakti që SHBA merr vendim për të shpallur non grata persona politikë që ende nuk kanë procedim. A mund të kemi shpresë çdo veprim “non grata” i SHBA do të ndiqet me procedime dhe hetime nga ana juaj?
Arben Kraja: Në lidhje me pyetje e parë, ju keni qenë vetë e strukturës që na ka ngritur ne. Është një proces, do kohën e saj. Duhet të kuptojmë se SPAK nuk vepron si strukturë emergjence por bazuar në prova. Ne kemi filluar aktivitetin dhe kam raportuar. Janë dënuar persona, janë ngritur akuza për grupe të rrezikshme kriminale. Prokuroria e Posaçme duhet të ketë parasysh se ndëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut shkojnë paralel. Bashkëpunojmë me të gjitha strukturat, me Policinë, por edhe me faktorin ndërkombëtar. Kur do të ketë rezultate? Rezultate ka pasur. Varet se çfarë quani rezultate. Pritshmëritë e njerëzve janë nga më të mëdha, ne ndeshemi aty edhe me gjëra që nuk kanë lidhje fare me punën tonë. Kjo e zbeh një fije realizimin e pritshmërive. Por ne jemi të vendosur që çdo rast që do të evidentohet, do ta hetojmë deri në fund, pa asnjë tërheqje duke mbledhur provat e nevojshme duke shkuar në përfundim.
Në lidhje me listën e SHBA, duhet të kemi parasysh që lista është një proces që ndodh në SHBA, ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona si fillohet një procedim penal e si shkohet deri te gjykata. Janë gjëra të ndryshme. Ju garantoj që çdo indicie, apo material që do të kemi ne në dispozicion, në raport me çdo shtetas shqiptar, për kompetencat që kemi, pa diskutim që jemi të vendosur për ta çuar ndjekjen penale deri në fund. Qoftë penalisht, qoftë ndjekjen financiare, qoftë bllokimin e pasurive të paligjshme. Çfarëdo që do të vijë, përfshirë dhe nga partnerët ndërkombëtar.