Bota Vendimi historik: Mbretëria e Bashkuar i dorëzon Mauritius-it sovranitetin mbi ishujt Chagos

Vendimi historik: Mbretëria e Bashkuar i dorëzon Mauritius-it sovranitetin mbi ishujt Chagos

Mbretëria e Bashkuar po përgatitet t’i dorëzojë Mauritius-it sovranitetin e Ishujve Chagos, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje prej dekadash.

Marrëveshja për dorëzimin e arkipelagut të Oqeanit Indian në Mauritius përfshin kompleksin e shkëmbinjve tropikal Diego Garcia, shtëpia e një baze të madhe ushtarake të përdorur nga MB dhe SHBA, e cila luan një rol kyç në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

Sipas kushteve të transferimit, baza do të mbetet nën juridiksionin e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA për të paktën 99 vitet e ardhshme.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se traktati do të “adresojë gabimet e së kaluarës dhe do të demonstrojë angazhimin e të dyja palëve për të mbështetur mirëqenien” e popullit indigjen të ishullit.

Sekretari i Shtetit David Lammy tha për marrëveshjen: “Kjo qeveri trashëgoi një situatë ku operacioni afatgjatë dhe i sigurt i bazës ushtarake Diego Garcia ishte nën kërcënim, me sovranitet të diskutueshëm dhe sfida të vazhdueshme ligjore. Marrëveshja siguron praninë e bazës ushtarake për të ardhmen. Ajo do të forcojë rolin tonë në ruajtjen e sigurisë globale, do të përjashtojë çdo mundësi që Oqeani Indian të përdoret si një rrugë e rrezikshme imigrimi i paligjshëm në MB dhe do të garantojë marrëdhënien tonë afatgjatë me Mauritius-in, një partner i ngushtë i Commonwealth-it”.