Sali Berisha tha se do të dërgojë në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit për të dërguar për rishqyrtim në Shkallën e parë çështjen e drejtimit të Partisë Demokratike.
“Vendimi i Edi Ramës për të prishur vendimin e Gjykatës së Faktit, që u firmos nga 3 gjykatës të marrë peng, do hyjë në analet e drejtësisë shqiptare dhe botërore, si njolla më e zezë e turpit. Se shkeli një parim nga Roma e lashtë gjer më sot, se në një proces nuk mund të jetë kurrë palë ai që nuk ka qenë palë. Ky është rasti i parë në historinë e botës. Por palë ishte Edi Rama. Pala e vërtetë ishte Edi Rama. Për të mos i lënë një turp historik, vetes, edhe avokati tha se nuk jemi palë. Nuk kishte rëndësi, sepse ata kishin firmosur vendimin para se të hapej procesi”, tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD të shtunën.
“Ndaj dhe mbi të gjithë qëndrimet e PD-së, do të diskutojmë gjerësisht në këtë mbledhje, do diskutojmë në forumet e saj. Por duhet t’u njoftoj se vendimi në tërësi i juristëve është që ky akt, ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë. E them unë, që njerëzit mund të habiten se si ta dërgojmë ne te Sadushët. Ne do e dërgojmë në Gjykatën e Lartë. Do kërkojmë përjashtimin e Sadushit nga gjykimi.
Nuk presim asgjë tjetër, se urdhri është po ky, por ne do ndjekim procedurën në gjykatën ndërkombëtare. Sepse ka ndodhur një gjë që në një vend anëtar të Këshillit të Europës, në një vend të lirë në botë, nuk ndodh që të shpallet palë ajo që nuk është palë. Rregulli për ta dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen, kërkon që të ezaurohen shkallët e gjykatave të vendit”.