Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar për vendimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD.
Në një deklaratë për mediat ambasada shkruan se Basha dje ka marrë një vendim të vështirë dhe për këtë meriton respekt. Më tej shtohet se “ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen“.
Në deklaratë sqarohet se tashmë ambasada do të punojë shumë ngusht me Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike.
Reagimi i plotë i ambasadës së SHBA:
Vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara.
Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.