Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të dalë të martën në një konferencë për shtyp për të komentuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor marrë këtë të hënë.
Burime nga Presidenca bëjnë me dije se Meta pritet të flasë në orën 08:00 të së martës edhe për krizën politike në vend, ndërsa kemi hyrë në javën e fundit para zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Nuk përjashtohet mundësia që nesër kreu i shtetit të bëjë ndonjë lëvizje surprizë.
Presidenti e ka shfuqizuar datën 30, por Parlamenti dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kanë konsideruar dekretin e tij si një akt “absolutisht të pavlefshëm” dhe si rrjedhojë inekzistent.
Kolegji Zgjedhor rrëzoi sot kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar për t’u çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit, duke lënë kështu në fuqi datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
Edhe pse nuk u shpreh drejtpërdrejt për dekretin e Presidentit, përmes këtij vendimi, Kolegji Zgjedhor i dha përgjigje dhe debatit mes Kuvendit dhe Presidentit për ligjshmërinë ose jo të dekretit të kreut të shtetit, për anulimin e zgjedhjeve.
Për vendimin e Kolegjit Zgjedhor reagoi zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, i cili e quajti “skeç të radhës, të orkestruar prej kohësh”.
Ndërsa ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali, shkroi në Tëitter: “Ai momenti kur Ilir Meta nuk ndikon dot më mbi trupin gjykues dhe flet për skeç të orkestruar, fiks si ai momenti kur agresori bën viktimën duke folur për kurth të organizuar nga viktima!”.