Politika Vendimi i Kushtetueses, Balla: U mbyll një histori lojërash të partive me...

Vendimi i Kushtetueses, Balla: U mbyll një histori lojërash të partive me popullin

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi kërkesën e shoqatës së Bashkive duke shpallur në këtë mënyrë të ligjshme zgjedhjet vendore të 30 Qershorit.

“30 Qershori 2019 u certifikua si dita e mësimit historik se fjala sovran nuk është një fjalë boshe dhe askush më kurrë s’mund të tentojë t’ia marrë popullit sovranitetin për interesa të ulëta dhe hesape të turpshme politike. 30 Qershori 2019 ishte dita e njerëzve të zakonshëm, që pavarësisht votojnë apo nuk votojnë, respektojnë të drejtën e tyre themelore për të zgjedhur dhe kurrë nuk mund të detyrohen nga askush të heqin dorë nga kjo e drejtë. Ato zgjedhje vendosën përfundimisht popullin mbi partitë dhe për të mbyllur përfundimisht një histori të gjatë lojërash të partive me popullin. Mbajtja e zgjedhjeve në datën e përcaktuar nga Kushtetuta, ishte një meritë e të gjitha institucioneve të cilat Ligji themelor dhe ligjet e tjera ngarkojnë me organizimin e zgjedhjeve. Natyrshëm Kuvendi i Shqipërisë ka një meritë të veçantë, sepse mori përgjegjësitë e duhura me qëndrimin e prerë në respekt të ligjshmërisë”, shkruan Balla.

Gjykata Kushtetuese nuk i dha argumentet ligjore mbi të cilat ka vendosur, por në vendimin e shkurtuar i referohet vetëm opinionit të Komisionit të Venecias, i cili më 14 Tetor i dha një shuplakë bojkotit të zgjedhjeve nga opozita. “Venecia” vlerësoi se Gjykata Kushtetuese s’ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e procesit zgjedhor dhe sa i përket dekretit të presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve konstatoi se përgjigjen për të e ka dhënë Kolegji Zgjedhor, i cili e ka konsideruar atë të paligjshëm.

Duke iu referuar pikërisht këtij opinioni në seancën plenare të Gjykatës Kushtetuese që u zhvillua të martën e shkuar përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave kërkuan rrëzimin e padisë së Shoqatës së Bashkive, duke theksuar faktin se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të shqyrtuar ligjshmërinë e zgjedhjeve. Por përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive theksuan në atë seancë se opinion i Venecias nuk është detyrues për Gjykatën.

Tashmë ky vendim bën të detyrueshme për kreun e shtetit, Ilir Meta, që të dekretojë datën e zgjedhjeve të reja për 6 bashki të cilat kanë mbetur pa kryetarë dhe konkretisht në Shkodër, Durrës, Lushnje, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.