Qeveria shqiptare në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave ka marrë vendim që të lejojë shtetasit nga SHBA që të qëndrojnë për një 1 vit në vendin tonë pa patur nevojë për leje qëndrimi.
Sipas vendimit, këta shtetas mund të rihyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë nëse kanë qëndruar më shumë se 90 ditë jashtë territorit të Shqipërisë.
Vendimi i Qeverisë:
VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë për një afat deri në një vit.
2. Këta shtetas mund të rihyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë për një afat të ri deri në një vit, nëse kanë qëndruar më shumë se 90 ditë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
3. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.