Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve. Lejimi tyre do të bëhet vetëm nëse certifikohen nga inxhinierët.
Sipas Veliajt, depozitat e përbashkëta duhet të vendosen në katin e parë të godinave dhe ky vendim merret për të garantuar sigurinë e jetës së qytetarëve.
Kjo problematikë u konstatua pas verifikimeve të pallateve nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar edhe bonusin e qirasë për 606 familje të tjera, të cilat u prekën nga tërmeti i 26 Nëntorit. Masa e bonusit të qirasë është përcaktuar në bazë të kushteve të tregut. Kryebashkiaku Veliaj premtoi se për festat e fundvitit, të gjitha familjet e prekura do të jenë të strehuara.
“Më vjen mirë që deri sot kemi dhënë 1188 bonuse qiraje, pra qira të plota 100%. Kemi qenë me Kryeministrin në disa prej tyre edhe vetëm ideja që janë tashmë në një shtëpi më të mirë, fakti që kanë lënë një pallat që është shpallur i pabanueshëm dhe për të kaluar në një pallat të ri, ku në një pjesë të madhe u kanë tepruar nga qiraja duke qenë se qiratë në Kinostudio, Kombinat janë modeste, janë tashmë më mirë edhe pse kjo është një zgjidhje afatshkurtër”.
Gjithashtu bonus qiraje do të përfitojnë dhe familjet që strehoheshin në 10 godinat e Universitetit Bujqësor të Kamzës. Bashkia ka një plan edhe për studentët që duhet të strehohen në banesa me qira.
“Kemi futur në trajtim edhe studentët e UB edhe pse nuk janë rezident. Fakti që janë konviktorë do të thotë s’janë banorë në Tiranë, ua them pse? Së pari për njerzillëk se përsa kohë që nëqoftëse në mënyrë të përkohshme janë në Tiranë dje i kapi fatkeqësia në Tiranë do të thotë që është primare dhe për ta rikthimi në normalitet. Pra nëse e bëmë këtë për çerdhet, kopshtet, shkollat do ta bëjmë këtë edhe për studentët. Kështu që në dallim nga QS dhe mjekësia ku ne kishim godina me hapësirë dhe ku të mjekësisë i transferuam tek inxhinieria. Në UB të 10-të godinat u rrafshuan, kështu që për këtë arsye kemi rekomanduar 2 masa, së pari kthimi mbrapsht sapo të kthehen në 6 janar sepse mbaron universiteti dhe shkolla këtë javë të marrin mbrapsht të gjithë pagesën e tyre mujore, ndërsa i rimbursojmë dhe me një shtesë tjetër për përballimin e qirasë”, tha Veliaj.