Aktualitet Vendimi për inceneratorin e Elbasanit shpallet më 5 tetor, Lefter Koka me...

Vendimi për inceneratorin e Elbasanit shpallet më 5 tetor, Lefter Koka me probleme shëndetësore

Gjykata e Posaçme caktoi datën 5 tetor, ora 13:00 për shpalljen e vendimit përfundimtar ndaj të akuzuarve për inceneratorin e Elbasanit.

Ditën e sotme, gjykata u njoh me mbrojtjen e “Albtech energy”, i cili theksoi se referuar bilanceve të kompanisë, pagesave, por edhe akt-ekspertimit financiar rezulton se nuk ka pasur hapësirë për abuzim.

Po sipas avokatit mbrojtës, kompania është para gjësë së gjykuar, pasi është hetuar me herët nga Prokuroria e Elbasanit, ku është pushuar.

Ndërkohë Lefter Koka, përmes avokatit, paraqiti disa akt-ekspertime që provojnë probleme shëndetësore të tij.

Për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka është kërkuar 10 vite burg, që me gjykimin e shkurtuar shkojnë në 6 vite e 8 muaj.

Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor me urdhër të SPAK. Ndaj tij janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë te Fierit.

SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 5 milionë eurosh për ndërtimin e 2 inceneratorëve.

Ndërkohë për të përfshirët e tjerë në aferën e inceneratorit të Elbasanit SPAK ka kërkuar:

Alqi Bllako: 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Mirel Mërtiri: 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Stela Gugallja: 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Klodjan Zoto: 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Pëllumb Abeshi: 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Jonida Zeqo: 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)