Franca mposht me rezultatin minimal 1-0 Gjermaninë në ndeshjen e parë të grupit F dhe konfirmohet si pretendentja kryesore për të triumfuar në Euro 2020.
Ishte vetëm ndeshja e parë e grupit, por dukej si një finale e parakohshme ajo mes “gjelave dhe “panzerave”, e cila u vendos nga një autogol i mbrojtësit veteran gjerman Mats Hummels, në minutën e 20-ë të pjesës së parë.
Ndeshja nisi me Gjermaninë të vendosur më mirë, falë edhe rreshtimit 3-4-3 të trajnerit Joachim Loew, por me kalimin e minutave Franca fitoi terren dhe në një zbritje të shpejtë në sulm, Lucas Hernandez ktheu një krosim të rrezikshëm në zonë, aty ku Hummels në tentativë për ta larguar, e dërgoi në rrjetën e portës së Manuel Neuer.
Gjermanët provuan të reagojnë dhe shfaqën një epërsi të lehtë në kontrollin e topit, por nuk kishin një pikë referimi në sulm dhe rrallë arritën të afrohen kërcënueshëm në portën e Hugo Lloris, i cili nuk mori asnjë gjuajtje në kuadrat mbrëmjen e sotme.
Nga ana tjetër Franca lëshoi terren, për të zbritur me shpejtësi në kundërsulm dhe arriti të shënojë edhe dy herë të tjera, fillimisht me Mbappe e më pas me Benzema, por në të dy rastet golat u anuluan nga VAR-i për pozicion jashtë loje.
Në minutat e fundit Loew provoi të ndryshojë skemë, duke kaluar me 4 në mbrojtje dhe me tre sulmues, megjithatë sërish nuk arriti të shfaqet kërcënuese në zonën e Francës dhe doli “duarbosh” nga ndeshja e parë në Euro 2020.
Kjo është hera e parë që Gjermania humb ndeshjen e parë të Europianit, pasi më herët kishte fituar 7 dhe barazuar 5 të tjera, ndërsa Franca, pas titullit kampione e Botës, tani kërkon të rrëmbejë edhe kurorën e Europës.