Komisioni i Venecias ka përmbyllur sot takimet në Tiranë, ku ndalesa e fundit ishte me anëtarët e komisionit hetimor parlamentar që është ngritur nga mazhoranca për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Pas përfundimit të takimit, përfaqësues të delegacionit thanë se Komisioni i Venecias, do të dalë me 11 tetor me një opinion nëse Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shkelur ose jo kushtetutën me vendimin për të zhdekretuar 30 Qershorin, si datë për zgjedhjet lokale.
Kaarlo Tuori, drejtuesi i delegacionit, tha se pas informacioneve të marra nga takimet në Tiranë, përfaqësuesit e Venecias e kanë një ide nëse Presidenti Ilir Meta e ka shkelur ose jo Kushtetutën.
Një ditë më parë, delegacioni zhvilloi takime me përfaqësuesit e opozitës dhe mazhorancës, kreun e Kuvendit, Kryeministrin, Presidentin dhe përfaqësues të opozitës së re në parlament.