Kaosi ka mbërthyer Venezuelën pas thirrjes së liderit të opozitës Huan Guaido për grusht shteti. Në kryeqytetin Karakas kanë nisur protestat dhe autoblindat e ushtrisë kanë depërtuar mes turmës së njerëzve.
Autoritetet në Venezuelë kanë deklaruar se po vënë nën kontroll një përpjekje të vogël për grusht shteti, pasi lideri i opozitës Huan Guaido njoftoi se ai dhe mbështetësit e tij ndodheshin në fazën finale të rrëzimit të presidentit Nikolas Maduro.
Guaido u shfaq në një video me disa oficerë ushtarakë duke thënë se kishte mbështetjen e ushtrisë, por presidenti Maduro doli më vonë duke thënë se ka ende mbështetjen absolute të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, protestues nga secila palë janë mbledhur në zona të ndryshme të kryeqytetit Karakas. Mediat ndërkombëtare raportojnë për përleshje mes mbështetësve të zotit Guaido dhe trupave ushtarake, të cilët kanë dalë në rrugë me autoblinda.
Manifestuesit kanë gjuajtur gurë ndaj forcave të armatosura, të cilat janë përgjigjur duke përdorur gaz lotësjellës.
Gjithashtu, dy autoblinda kanë depërtuar mes një turme njerëzish, duke shtypur të paktën një person.
Ndërkohë, nga komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetjen për liderin e opozitës Guaido, ndërsa në Europë qeveria spanjolle ka deklaruar se Venezuela ka nevojë urgjente për zgjedhje, por ka refuzuar të shprehë mbështetjen për asnjë nga palët.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Trump po e ndjek nga afër situatën. Mbështetjen për opozitën e shprehën përmes Twitter-it, sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo dhe këshilltari i Trump-it për sigurinë John Bolton, të cilët thanë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah popullit të Venezuelës.