Me mijëra venezuelianë dolën në rrugët e kryeqytetit Karakas, për të protestuar në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për rrëzimin e qeverisë së presidentit Nicolas Maduro.
Vetëm pak përpara zhvillimit të një proteste nga opozita, ku lideri i saj shpalli veten si president në detyrë i Venezuelës, është raportuar për 4 persona të vdekur pas përplasjeve protestues-polici.
Maduro u betua për një mandat të dytë në fillim të janarit, pas zgjedhjeve që u cilësuan si të turpshme nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.
Por, Venezuela ka disa vite që ndodhet në “rënie të lirë” ekonomike, që kur drejtimin e vendit e mori Maduro, pas vdekjes së Hugo Chavez. Hiperinflacioni dhe mungesat e ushqimeve të shportës bazë, por edhe mjeteve të tjera të domosdoshme, kanë detyruar miliona venezuelianë të ikin nga vendi.
Të mërkurën, presidenti amerikan Donald Trump njohu zyrtarisht kreun e opozitës venezueliane, Juan Guaido, si president të përkohshëm të vendit, një veprim që u pasua menjëherë edhe nga qeveria e Perusë fqinje, që ka mbajtur një barrë të rëndë të refugjatëve nga Venezuela.
Por, në një dalje nga selia e presidencës, në Karakas, Maduro u shfaq sfidues, duke ndërprerë lidhjet diplomatike me atë që e quajti “qeveri imperialiste e Shteteve të Bashkuara”, duke iu dhënë 72 orë kohë stafit diplomatik amerikan që të largohet nga vendi.