Aktualitet Verifikimi i kontratave të HEC-ve, MIE: Janë kontrolluar 54 dosje, 8 me...

Verifikimi i kontratave të HEC-ve, MIE: Janë kontrolluar 54 dosje, 8 me probleme

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë publike të dhënat e para lidhur me procesin e verifikimit të zbatimit të kontratave të HEC-eve, i cili ka nisur një muaj më parë me urdhër të ministres Belinda Balluku.

Zëvendësministri Hantin Bonati, në një dalje për mediat, njoftoi se deri tani janë skanuar 54 dosje, prej të cilave 8 kanë rezultuar me probleme të mëdha.

“Aktualisht kanë kaluar procesin e skanimit 54 dosje, 8 prej të cilave kanë rezultuar me probleme të mëdha dhe shkelje të kushteve kontraktuale, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës”, u shpreh Bonati duke sqaruar se ndër problematikat kryesore të konstatuara janë mosrespektimi i afateve kohore proceduriale si dhe mosrespektimi i kushteve dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara.

Zëvendësministri i MIE theksoi gjithashtu se ky proces i nisur ka dy qëllimi kryesore, së pari, për të zgjidhur dhe mitiguar problematikat potenciale të së tashmes dhe së dyti për të identifikuar të gjitha ato aspekte problematike proceduriale që janë ndeshur deri më sot.

Bonati sqaroi më tej se në këtë proces kompleks, strukturat e Ministrisë janë duke bashkëpunuar ngushtësisht dhe me institucione të tjera publike.

“Ndërprerja e kontratave është një proces kompleks dhe nga ana e Ministrisë po procedohet në mënyrë të kujdesshme që të mos ketë risqe dhe pasoja financiare për buxhetin e shtetit. Problematikat e konstatuara, në mënyrë të përsëritur gjatë këtij procesi skanimi, do të analizohen dhe do të shërbejnë si referencë për ndryshimet ligjore që do të propozohen në këtë sektor”, është shprehur Bonati.