Sport Veseli jep lajmin e keq për Brojën dhe premton se “ndaj Anglisë...

Veseli jep lajmin e keq për Brojën dhe premton se “ndaj Anglisë do japin gjithçka”

Frederik Veseli ishte një nga dy lojtarët e kombëtares shqiptare që doli në konferencë për shtyp këtë të martë, për të folur për dy sfidat e radhës të kuqezinjve ndaj Anglisë dhe Andorras. Mbrojtësi i Salernitanës beson ende se kuqezinjtë mund të realizojnë një mrekulli në këto eliminatore.

“Atmosfera është e mirë deri tani. Te mrekullitë besoj gjithmonë, më shumë sesa një mrekulli është një ëndërr për ne të shkojmë në play-off, ne do të japim maksimumin. Më vjen keq për humbjen ndaj Polonisë pasi u paraqitëm mirë, shpresoj që ndaj Anglisë të bëjmë më mirë se ndaj polakëve”.

Të luash ndaj një sulmuesi si Harry Kane, apo edhe lojtarëve si Sterling e Grealish është gjithmonë e vështirë për një mbrojtës dhe këtë e ka mëse të qartë Veseli.

“Edhe në ndeshjen e parë ndaj Anglisë kemi bërë një paraqitje të mirë. Premier League është një kampionat shumë i fortë dhe përballë sulmuesish të kalibrit si të Harry Kane misioni vështirësohet gjithmonë, por ne duam të japim maksimumin për të treguar veten, pasi të luash ndaj sulmuesve si Harry Kane është diçka e madhe për një mbrojtës”.

Covidi

Veseli komentoi edhe situatën e tij te klubi i Salernitanës ku është aktivizuar shumë pak në këtë sezon.

“Kam qenë me Covid, për 2 javë kam qëndruar i izoluar në shtëpi dhe kjo është një nga arsyet që kam luajtur pak gjatë kësaj periudhe me klubin tim Salernitana, gjithsesi unë jam gati, ndihem në formë dhe do të jap maksimumin tim me kombëtaren ashtu siç kam bërë gjithmonë edhe në këto dy ndeshje, nëse trajneri më hedh në fushë”.

Problemet me Brojën

Gjatë konferencës së ditës së sotme, Federik Veseli u shpreh se kombëtarja në ndeshjen ndaj Anglisë do të vuajë mungesën e Armando Brojës. Së fundmi, është sqaruar se sulmuesi i talentuar ende nuk i është bashkuar kuqezinjve si pasojë e një problemi në kavilje.

Aktualisht, Broja është duke bërë disa ekzaminime me stafin e Southhampton, ndërsa pritet përgjigja e analizave për të kuptuar nëse lojtari do të jetë i gatshëm për të qenë i grumbulluar.

Gjithsesi, në stafin e kombëtares janë besimplotë se Broja do të jetë i gatshëm dhe në këtë formë mund të vihet rregullisht nën urdhrat e trajneri Edy Reja. Kështu, nëse gjithçka shkon sipas planit, Broja nuk do të udhëtojë për në Shqipëri, por do ta presë kombëtaren në Londër.