Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka e konsideron vetëdorëzimin e Klement Balilit si “skema “Tahiri” dhe është një rast jo për t’u duartrokitur policia”.
Në një deklaratë për mediat sot në selinë e PD-së, Paloka u shprehet se “shoqërimi i Klement Balilit në qeli nuk është një hap i madh kundër krimit, por dorëzim i kontrolluar dhe i menaxhuar i tij. Me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, po zbatohet e njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin: dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge”.
Sipas Palokës, Balili ka jetuar në Sarandë me mbështetje të qeverisë dhe se vetëdorëzimi i tij nuk është rasti për duartrokitur policinë.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, Klement Balili, ka patur mbështetjen e qeverisë. Ka jetuar në Sarandë dhe zonat përreth saj. Ky nuk është rasti për të duartrokitur Policinë, por për të kuptuar se Policia, qeveria dhe drejtësia janë, për fat të keq, në duart e një njeriu të vetëm, që ka lidhur fatin e pushtetin të tij me fatin e krimit”, tha Paloka.