Një pacient me COVID-19 është vetëhedhur nga kati i katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
Mësohet se 52-vjeçari P.GJ., prej ditësh po kurohej për koronavirusin në spitalin COVID2, por gjatë orëve të para të mëngjesit ka ndërmarrë aktin e rëndë duke u vetëhedhur nga lartësia e për pasojë ka humbur jetën.
Policia në një njoftim për mediat bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:10. “Më datë 01.11.2020, rreth orës 03 :10, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një spitali shtetasi P.Gj., 52 vjeç dhe për pasojë ka humbur jetën”, njofton Policia.
Ndërkohë mësohet se grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punohet për zbardhjen e saj.
Ky është rasti i tretë i vetëvrasjeve në spitalin “Shefqet Ndroqi”, që regjistrohet brenda pak muajsh. Më herët po në këtë spital dhe dy pacientë të tjerë janë hedhur nga dritaret e spitalit dhe ngjarjet ende nuk janë zbardhur plotësisht.