Doktor Anthony Fauci dhe dy anëtarë të tjerë të Task Force-s kundër koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë janë vetëkarantinuar pasi dyshohet se kanë pasur kontakte me një person të infektuar me virusin e ri vdekjeprurës.
“79-vjeçari Fauci, rezultoi negativ për Covid-19 në testimin e fundit, por ai do të vijojë të testohet rregullisht”, deklaroi zëdhënësi i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, ku Fauci është dhe drejtor.
Robert Redfield, kreu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, do ta zhvillojë punën e tij vetëm përmes telekonferencave në dy javët e ardhshme pas një ekspozimi me rrezik të ulët me një person në Shtëpinë e Bardhë që ka koronavirus, raportoi “Washington Post”.
Ndërsa Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave, Stephen Hahn, është në vetë-karantinë për disa javë pasi ka pasur kontakte me dikë që ka testuar pozitivisht për Covid-19.