Aktualitet Vetëm 3 vatra zjarri aktive, ministri i Mbrojtjes: Janë shuar 28 vatra...

Vetëm 3 vatra zjarri aktive, ministri i Mbrojtjes: Janë shuar 28 vatra në 24 orët e fundit

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, me anë të një postimi në rrjetet sociale, bën të ditur se situata nga zjarret në vend paraqitet më e qetë.

Gjatë 24 orëve të fundit, ai shkruan se janë shuar plotësisht 28 vatra, ndërsa vetëm 3 kanë mbetur aktive në të gjithë vendin, por fatmirësisht edhe ato janë të izoluara.

“Pas shumë javësh betejë me zjarret që përfshinë shumë zona të territorit të vendit tonë, sot situata paraqitet më e qetë. Gjatë 24 orëve të fundit, nga 31 vatra zjarri të raportuara, 28 janë shuar plotësisht, ndërsa vetëm 3 vatra mbeten ende aktive.

Aktualisht, vatra në Arrën të bashkisë së Kukësit, ajo në Fushë Lugje të Mirditës dhe vatra në Buçaj të Shkodrës janë të izoluara pa rrezik përhapjeje dhe po monitorohen për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.

Mirënjohje për të gjitha strukturat operacionale, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura, Policinë, Shërbimin Pyjor, Zonat e Mbrojtura dhe vullnetarët për punën e palodhur dhe angazhimin maksimal. Përkushtimi i tyre i përbashkët ka qenë vendimtar në minimizimin e dëmeve dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve!”, njofton ministri.