Aktualitet Vetëm një prej fëmijëve u lejua në varrim, dëshmitë dhe dinamika e...

Vetëm një prej fëmijëve u lejua në varrim, dëshmitë dhe dinamika e vrasjes së Metës: Motivet e krimit ende të paqarta

Pëllumb Meta, 50-vjeçari që u vra dhe u gropos nga fëmijët e tij u dërgua këtë të shtunë në banesën e fundit.

Në ceremoninë e varrimit ka marrë pjesë vetëm vajza e madhe e familjes, e martuar në Krujë, ndërsa dy vëllezërit e saj dhe motra ndodhen pas hekurave, të akuzuar për vrasjen e planifikuar të të atit.

Pjesë e ceremonisë mortore nuk ishte as ish-bashkëshortja e të ndjerit, e cila është marrë në mbrojtje nga policia e Durrësit.

Kjo e fundit i trembej ndonjë konflikti të mundshëm mes vëllezërve të Pëllumbit që organizuan varrimin dhe kunatës së tyre, prandaj e ka shoqëruar deri në familjen e babait të saj në Laç.

Dëshmia e djalit që vrau të atin

24-vjeçari Hysen Meta i arrestuar një ditë më parë për vrasjen e babait të tij në fshatin Shënavlash të Durrësit ka rrëfyer për hetuesit të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ai thotë se gjithçka ka qenë e planifikuar me motrën e tij, Hygertën 19-vjeçare dhe se nëna dhe vëllai i vogël nuk ishin në dijeni.

“Vrasjen e kishim planifikuar më herët së bashku me motrën. Vendosëm për ditën e shtunë, 10 shkurt sepse ishim të gjithë pushim. Babi ndodhej në një nga  dhomat  e shtëpisë i shtrirë. Në shtëpi ishim vetëm unë motra dhe vëllai tjetër. Mami po merrej me punët jashtë shtëpisë. Më herët kishim siguruar të gjithë materialet që na duheshin për të mbështjellë trupin. Unë e qëllova babin 4 herë në trup. Aty ishte dhe motra ndërsa vëllai i vogël hyri në dhomë vetëm pasi dëgjoi të shtënat”.

Më pas ka rrëfyer të gjitha lëvizjet për të fshehur krimin, ndërsa trupin e groposën pranë kasolles së lopës. Armën e hodhën në një kanal pranë shtëpisë ku edhe u gjet më pas nga policia.

“Nuk u ndikuam nga situata dhe të tre vepruam për ta mbështjellë dhe groposur. Dy ditë më pas lëviza makinën e babit drejt pishave në sektorin Rinia. Në kthim më mori vëllai. Donim që të besohej zhdukja e tij. Më pas me 13 shkurt vendosa të denoncoj zhdukjen e babit”.

Motivet e krimit ende të paqarta

Motivet e krimit të rëndë mbeten të paqarta për hetuesit të cilët po hetojnë mbi sjelljen e familjarëve, por Hysen Meta jep si shkak sjelljen e të atit.

“Ai ishte autoritar dhe i padurueshëm në familje. Nuk kishim rrugë tjetër. Mami nuk ka pasur dijeni për ngjarjen”.

Hetuesit dyshuan se nuk kishin të bënin me një zhdukje, pasi qelizat telefonike tregonin se aparati celular i tij ishte në banesë dhe gjatë ditëve të zhdukjes asnjë nga fëmijët nuk e kishin telefonuar, edhe pse e kishin denoncuar si të zhdukur.

Fillimisht për vrasjen e 50-vjeçarit u arrestua vajza e tij Hygerta, por hetimet zbuluan se e përfshirë ka qenë pothuajse e gjithë familja. Në qeli po mbahen të tre të rinjtë ndërsa nëna po hetohet në gjendje të lirë.

Kjo e fundit është marrë tashmë në mbrojtje nga policia dhe është dërguar pranë familjes së saj në Laç për të shmangur konfliktet me familjarët e viktimës.