Heronjtë e vërtetë, si të luftës dhe të punës, gjithmonë janë karakterizuar për njerëz të thjeshtë dhe me virtyte të radha, jo vetëm kur ata vlerësohen me meritë nga një shoqëri, por vinë në jetë me një mision të tillë prej heroi, ku edhe ata vetë nuk e dinë se me çfarë situatash jeta do i përballë, dhe vënë gjithçka në shërbim, si energjitë mendore, shpirtërore dhe ato fizike, për të ndihmuar dhe shpëtuar jetën e shokëve, kolegëve, e një kolektivi apo shoqërie të tërë. Një prej tyre është edhe “Heroi i Punës Socialiste”, Rezho Idriz Sinani.
Ai u lind më 12 janar të vitit 1920-të, në fshatin Kashisht të Tepelenës, me prindër Xheki dhe Idriz Sinani. Ai kishte edhe një vëlla dhe dy motra, të cilët quhen: Sado Sinani (22.03.1908), e cila, pasi u martua mori mbiemrin, Muhametaj. Vëllai i tij, Sinan Sinani (15.01.1916), dhe motra e tij e vogël, Lako Sinani (18.07.1922), që mori mbiemrin Shehu, pas martesës.
Babai i tij Idrizi, ka marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912-të dhe në vitin 1920-të, ka luftuar krahë për krahë luftëtarëve të tjerë, në luftën e Vlorës, kundra pushtuesve italianë. Ndërron jetë në vitin 1924 dhe djali i tij Rexhua, ngeli jetim që në moshën 4-vjeçare dhe rritet me dashurinë e nënës, të motrave dhe vëllezërve të tij, mbështetur gjithashtu edhe nga të afërmit e familjes Sinani.
Duke dëgjuar herë pas herë rrëfimet e nënës, për atdhedashurinë e lartë të babait të tij, të cilën e ka treguar që nga Shpallja e Pavarësisë e deri në luftën e Vlorës, të vitit 1920-të, Rexhua u rritë edhe u burrërua parakohe me urrejtjen kundra pushtuesve nazi-fashist dhe në moshë shumë të re u përfshi me lëvizjen e antifashiste dhe bëhet pjesë i çetave territoriale të kohës që operonin në atë zonë. Kjo ishte edhe një përgjigje, thirrjes që i ishin bashkuar në të njëjtën kohë, edhe xhaxhi i babait të tij, partizani, Islam Sinani. Gjithashtu, partizanë kanë qenë edhe djemtë e tezes së Rexhos, të cilët quhen Solo dhe Hajredin Molla.
Xha Rexhua, ka punuar gjithashtu në mullirin e tij në fshtat dhe në moshën 27-vjeçare, thërritet nga shteti të ndërpres punën në mullirin e tij, dhe t’i bashkohej punëtorëve të parë, të cilët s’kishin shumë kohë që kishin filluar punimet për shfrytëzimin e vendburimit të qymyrgurit në Sektorin e I-rë, me vendndodhje në veriperëndim të Pyllit Karaule. Ishte i muajit i fundit i vitit 1947-të, ku Rexhua fillon punë dhe bashkohet me bashkëfshatarët e tij kashishtiotë, Njazi Jakup Mullaraj dhe Demir Mullaraj. Aty gjeti edhe Tahir Mehmetin nga Kallëmbi, Abdy Bodecin nga Luzati, Haki Shehun nga Vagalati, Faik Myrton nga Damsi, Muharrem Karafilin nga Maricaj, …etj, të cilët kishin pak kohë që punonin dhe nuk bëheshin më shumë se 15 deri më 20-rë punëtorë. Të gjithë së bashku, të cilët punonin duke avancuar me mjete primitive drejtë thellësive të nëntokës për të gjetur dhe shfrytëzuar shtresat e qymyrit dhe deri tek transportimi e nxjerrja në sipërfaqe, me karroca prej druri, të këtij ari të zi.
Nga një punëtor i thjeshtë dhe pa eksperiencë, përgjatë punës, por edhe nga puna e përbashkët dhe shkëmbimi i eksperiencave me kolegët e tij, fitoi në një kohë të shkurtër, një përvojë të madhe, të cilin shumë shpejt e bëri atë një nga punëtorët pararojë, jo vetëm në realizimin e planit, por edhe atë të një drejtuesi të besueshëm, pasi në disa raste, falë përvojës dhe inteligjencës së tij, janë shpëtuar edhe jetë minatorësh. Kjo e bëri atë që të emërohej edhe shef i Sektorit të I-rë.
Ka punuar me shumë përkushtim, ndërgjegje të pastër dhe për arritje të rendimenteve të larta në punë, që e çuan atë dhe kolektivin që drejtonte, të realizonin dhe tejkalonin planet e kohës, dekorohet nga Presidiumi i Kuvendi Popullor i kohës, me titullin, “Heroi i Punës Socialiste”. Gjithashtu, nisur nga këto arritje, në vitin 1958-të e propozojnë për kandidat dhe zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor të kohës dhe vazhdon të jetë deri në vitin 1970-të. Në vitin 1961, shkonë për vizitë në Kinë, si pjesë e një delegacioni shqiptar të përbërë nga klasa punëtore.
Rexho Idriz Sinani, hapi familje në vitin 1946-të, me Feruze Lalaj (04.04.1928), e bija e Bebe dhe Refat Lalaj, nga Arrëza e Vogël, një fshat pak kilometra më në veri të fshatit Kashisht. Familja e tyre u bë e madhe duke ardhur në jetë dhjetë fëmijë. Emrat dhe kontributi i tyre që kanë dhënë në fusha të ndryshme të shoqërisë shqiptare janë: Drita Balliu (Sinani), lindur më 28.07.1948-të. Ka mbaruar studimet nëshkollën Pedagogjike në Fier dhe në Gjirokastër për mësuese. Idriz Sinani, lindur në 09.11.1951-ë dhe ndërroi jetë më 31.03.2014. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës me profesion inxhinier i kimisë Industriale. Nexhmije Ndreko (Sinani), lindur më 01.05.195?. Ka mbaruar studimet në shkollën e Infermerisë në Vlorë për infermiere. Mehmet Sinani, lindur më 20.05.1957-të. Ka mbaruar studimet në shkollën Mekanike në Durrës për telekomunikacion. Fatbardha Selmani (Sinani), lindur më 24.04.1959-të. Ka mbaruar studimet në Shkollën e Fiskulturës në Durrës për mësuese fiskulture. Floresha Sinani ka lindur me 14.05.1961-ë. Ka mbaruar studimet në Fakultetin Ekonumik për financë. Diana Shehu (Sinani), lindur më 03.03.1963-e. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Shkenvave Politike dhe Juridike për Filozofi. Valentina Duro (Sinani), lindur më 10.07.1965-së. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit me profesion inxhiniere Gjeodezi. Robert Sinani, lindur më 24.05.1967-të. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Gjeologjisë Minerare me profesion inxhinier Miniere. Fatmira Karati (Sinani), lindur më 28.02.1970-të. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në degën Juridik.
Ashtu si xha Rexhua që punoi një jetë të tërë në minierë, edhe bashkëshortja e tij, Feruzeja, ka punuar në repartet e jashtme të minierës derisa doli në pension në vitin 1974-ër. Më 08.01.1995-ë, nënë Feruzeja ndërron jetë, ndërsa xha Rexhua largohet nga kjo jetë më 01.06.2014.
Bashkëqytetarët e mbajnë mend, si njeri të thjeshtë, jo mëndjemadh dhe shumë kërkues jo vetëm tek fëmijët e tij, por edhe tek vetja dhe kolegët me të cilët punonte nëpër frontet e ndryshme të minierës. Mbaj mend, në kohën kur vazhdoja shkollën e mesme për teknik miniere në Teknikumin e Memaliajt, e cila ka qenë e dyta shkollë profesionale pas FZO-së, në vendlindjen time, Prof. Adem Malasi, na solli në klasë, “Heroin e Punës”, Rexho Idrizin, për të na folur mbi vështirësitë në fillimet e minierës së qymygurit të Memaliajt. Pothuajse më shumë se një orë mësimi, kaloi duke na treguar dhe ne duke e pyetur. Na tregoi për jetën e tij, i cili punonte në mullirin e tij dhe nuk kishte menduar ndonjëherë të ndërronte profesion dhe aq më shumë me atë të minatorit që ishte e panjohur për banorët e zonës dhe më gjerë. Si e tillë, atë shkuan dhe me morën me forcë nga puna në pronën private dhe e çuan tek sektori i sapo hapur për shfrytëzimin e qymyrgurit.
Ai tregonte se: “Punonim me mjete primitive. Me një sqep që godisnin shtresën e qymyrit për të shkëputur sa të mundeshin; me një lopatë për ta ngarkuar në karrocat e drunjta që bënin transportimin për në sipërfaqe.” Po ashtu ai tregonte për kushtet e punës dhe të armatimin e tyre jo të sigurt që mund të binin nga momenti në moment, kur parafytyroje, se mbi ato pjesë druri të vendosura me njëra-tjetrën, nuk do të kishin mundësi të mbanin një mal mbi vete. Tregonte për kushtet e tjera të punës, siç ishte ajo e ajërimit, që nuk ekzistonin fare, ndryshe nga koha që ai na tregonte, ku ishin të ajërosura me teknologjinë e kohës.
Ai vazhdonte të tregonte se: “Për të patur sadopak lëvizje të ajërit në ballin e frontit dhe përgjatë galerisë, e bënim me anë të ndonjë kompensate apo llamarine pak a shumë 50x50cm, që merrnim nga sipërfaqja dhe e mbanin afër në frontin e punës dhe e lëviznim shpesh, sa majtas dhe djathtas, për të krijuar sadopak vibrime ajri të cilat më shumë të linin një ndjenjë psikologjike se sillnin sadopak ajër, sesa bënin zëvendësimin e ajërit. Ne donim ta besonim këtë për të mposhtur panikun, pasi ajëri që lëvizte, ishte i njëjti dhe vetëm sa na freskonte pak fytyrat e djersitura që sa vinin dhe na nxiheshin akoma më shumë, nga pluhuri i qymyrit që përplaste në fytyrat tona, valët e erës që ne i krijonim. Nxiheshim aq shumë, saqë nuk e njihnim dot as njëri-tjetrin, nëse nuk do mbanim mend çfarë kishim veshur apo nga zërat tanë karakteristik që i jepte mundësinë çdokujt të identifikohej edhe në distanca të largëta.
Merreni me mend, si bëheshin mushkëritë tona nga pluhuri i qymyrit dhe gazërat e ndryshme që çlironte nëntoka. Mushkëritë tona ishin aspiratorët e parë që mund të ndihmonin sadopak atë ajër të rëndomtë, për mos të thënë vrasës për jetët tona. Kur dilnim, kushtet ishin vetëm ato rrethanore. Në behar, laheshim në Vjosë apo ndonjëherë me pak ujë të ngrohtë për të zbardhur pak më shumë poret e fytyrave tona, dhe ky ujë ishte i pamjaftueshëm që për të gjithë ne, por ai që priste pak më shumë, pasi nuk donte të humbiste kohë nga rruga që duhej të bënte për të shkuar në familjen e tij që banonte në një nga fshtartat përreth. Ujin e përgatiste një nënë nga të zonës që punonte aty, me një kazan të madh të vendosur mbi dy-tre shufra hekuri të cilat mbështeteshin mbi gurët që i kishte vendosur rreth zjarrit për këtë qëllim. Me një fjalë, luante rolin e një pirostie, si e njihni ju sot. Aty gatuante edhe ndonjë ushqim të dobët, por për ne që vinim të lodhur dhe të rraskapitur nga nëntoka, na dukej e shijshme gjithçka që futej e ngrohtë në gojë dhe stomak.
Por ju nuk duhet ta merrni me frikë këtë profesion që keni zgjedhur, pasi disa prej jush do shkojnë për të përfunduar inxhiniera, disa teknikë miniere dhe disa minatorë e punëtorë të kualifikuar, ku do dalin brigadierë, shef sektorësh dhe drejtorë të kësaj miniere. I keni të gjitha kushtet, prandaj u tregova në fillim vështrirësitë që kemi hequr, sepse ju sot vetëm mund t’i parafytyroni sipas ndjenjave dhe emocioneve që ju japin për momentin, ndërsa disa prej tyre mund të kthehen edhe në kujtime të rrënjosura që mund t’ju shoqërojnë gjithë jetën edhe pse nuk i keni përjetuar fizikisht. Pra, nga çfarë dëgjuat nga unë apo ato që do dëgjoni shpeshë edhe nga baballarët tuaj, do ju ngacmojnë përgjatë punës, kur të shkelni nëpër thellësitë e ndryshme të nëntokës.
Sot ju mësoni dhe kualifikoheni për të punuar në fronte të ndryshme të minierës, apo fusha të tjera si; të arsimit, ekonomisë, mjeksisë dhe shkencës, ..etj, por brezi jonë, kaloi nga lufta që na la të rrënuar, të shkatërruar, ku pothuajse të gjithë erdhëm nga një punë pa eksperienca të tilla. Kur filluam të punonim, nuk dinim nga ta zinim radhën e punës dhe shikonim njëri-tjetrin të habitur në sy dhe vinim vërdallë nëpër frontin e punës si të çoruditur, pasi kjo vinte nga padituria në këtë front pune që ishte krejt e panjohur për ne. Me kalimin e kohës, çdo vështirësi na jepte një eksperiencë të madhe. Ju sot i studioni në shkollë para se të dilni në punë dhe t’i ndeshni në praktikë.
Kushtet sot në krahasim me fillimet, janë si nata me ditën. Qumështin, minatorët dhe gjithë punëtorët e nëntokës, e kanë falas, në fillim të turnit dhe pasi mbarojnë punën. Në banjat e çdo sektori, ka dusha ku lahen me ujë të ngrohtë. Dieta e ushqimit është e lartë dhe me çmime të lira edhe pse minatori merr më shumë lek. Shpimet me pistoletë elektrike dhe shpërthimet me dinamit për të marr qymyrin dhe avancuar çdo ditë me metra të tëra, është një tjetër lehtësim. Ajrimi bëhet me një rrjet tubash që furnizohen me anë të kompesorëve që marrin ajërin e pastër nga sipërfaqja dhe jo si ne që luanim kapelet dhe xhaketat, sa andej-këtej.
Sot, transporti bëhet me vagona dhe shina metalike që tërhiqen me trolera dhe nxirren me axhensorë e deri tek pasurimi i qymyrit tek fabrika e ndërtuar për këtë qëllim, që bën edhe shpërndarjen e qymyrit nëpër kamionët tranzit që nuk kanë të pushuar për transportimin e saj, atje ku ka nevojë ekonomia e vendit. Prandaj, ju po shkoni pas dy javësh, të bëni praktikën për dy muaj rresht nëpër fronte të ndryshme të sipërfaqes dhe të nëntokës, ku do të përballeni me një realitet tjetër nga ato çfarë ju tregova, por duhet të keni shumë kujdes, duke vënë në shërbim të gjitha ato që ju keni mësuar në shkollë, pasi do i shërbeni jetës tuaj, atyre që keni pranë, shoqërisë dhe ajo që është kryesorja, të ktheheni shendoshë e mire tek prindërit, familjet dhe shtëpitë tuaja.”
I gjithë ky bashkëbisedim, ishte mbresëlënës, jo vetëm për mua, por për të gjithë shokët e klasës që e dëgjonin me vëmendje.
Edhe pas ndryshimit të sistemeve, koha e tregoi se ai e meritonite këtë titull, pasi, mbaj mend se deri në vitin 2000, kur ai ishte 80 -vjeç, vazhdonte të punonte, por jo në punë shteti, pasi ai kishte dal në pension vite më parë se të bëhej ndryshimi i sistemeve. Si shumë memaliotë, që zunë nga një copë tokë buzë lumit Vjosë, të cilët e rrethuan, e punonin, mbillnin dhe u vilnin, zarzavatet e stinës dhe më pas edhe frutat e ndryshme. Kjo ndodhi edhe me nënën time, xha Rexhon dhe shumë moshatarë të tyre, por edhe më të rinjtë, të cilët u morën me kultivimin e zarzavateve, jo vetëm për të përballuar nevojat e ditës, çmimet e kripura, por edhe për të patur nëpër tavolinat e tyre, prodhimet e freskëta dhe organike të prodhuara me kujdes po nga duart e veta, sesa të blinin këto produkte që vinin nga greku apo shtet tjetër dhe nuk kishin shijet e atyre që paguhej për t’i blerë.
Kjo e fundit ishte një tjetër nxitje, pasi të gjithë këta të moshuar edhe pse kishin të ardhura nga fëmijët e tyre në emigracion apo punët që kryenin në vend, e bënin gjithashtu, edhe për t’u marrë me punë, një lloj aktiviteti fizik por dhe kënaqësi shpirtërore, kur arrinin të merrnin prodhimet, pas një pune të lodhshme e duke pritur nga sezoni në sezon. Kjo ishte e dobishme edhe për shëndtin e tyre fizik por edhe atë shpirtëror dhe mendor, ku shumë nga bashkëmoshatarët e tyre në Amerikë, edhe pse dalin në pension, vazhdojnë të punojnë vullnetarisht në punë të ndryshme shtetërore, vetëm për t’u ndier mirë. U zgjata, jo vetëm për atë brez që nuk e ka përjetuar, por më shumë; edhe për ata që e kanë jetuar atë kohë, ku disa prej tyre edhe e vrisin për lartë dhe shumë shpejtë filluan të tundeshin si “fisnikër”, por nga ana tjetër edhe xheloz për këtë aktivitet që nuk ishin në gjendje ta përballonin. Edhe pse kisha një kopësht, poshtë ish ofiçinës, pasi nëna ime e kishte zënë në kohën kur unë nuk isha aty; për momentin nuk më pëlqeu, por kur pashë që nëna ime ndihej mirë, për çfarë përmenda më sipër, shkoja dhe e ndihmoja edhe unë.
Edhe xha Rexhua, kishte kopshtin e tij, tek Kasaphana, buzë lumit Vjosë. Shkonte të punonte çdo ditë, duke filluar herët në mengjes; pushonte kur binte vapa dhe vazhdonte sërish deri në mbrëmje. Për moshën që kishte, dukej shumë mirë fizikisht, jo vetëm nga muskujt e puna që bënte, por trupi dukej më i kalitur nga dielli. Kishte bërë një kopsht, që dukej si kopshti i Edenit, i punuar me shumë cilësi dhe çdo mbjellje ishte e sistemuar në atë mënyrë që kushdo që kalonte andej, padyshim që do fillonte të kishte problem me qafën. Me këtë punë, fitoi pothuajse admirimin e të gjithëve, pasi u po tregonte se me punë të ndershme, jetohet më qetë. Të gjithë bashkëmoshatarët e tij dhe disi më të rinj, filluan ta rivlerësonin duke i shprehur vlerësimet e tyre, se ishte vërtetë një “Hero i Punës”.
Ky vlerësim, filloi edhe tek moshat tona që e dinim se ishte “Hero i Punës”, por që nuk e kishim jetuar kohën e tij për të parë më nga afër meritat për këtë titull të lartë për atë periudhë. Në shumë mbasdite, kaloja dhe e përshëndesja, ndërsa ai më ftonte që të hyja brenda në kopshtin e tij, që të mbrekullonte duke të çlodhur me pamjen magjepsëse, ku edhe ndonjë dembel e frymëzonte për momentin, për të punuar dhe bërë të njëjtën gjë. Flisnim shpesh. Më pyeste për shëndetin e nënës time, ku i tregoja se edhe ajo ka një kopësht buzë lumit, por jo kaq të lulëzuar sa kopshti i tij, edhe pse shkoja edhe unë në shumë raste për ta ndihmuar. Përgjatë bisedës, kujtonte baban tim Sherifin, gjysh Demirin dhe gjyshe Tajanen (të dy nga nëna), të cilët kishin kohë që ishin larguar nga kjo jetë.
E pyesja për një nga fëmijët e tij, pasi me djalin e tij të vogël, Bertin kemi qenë e jemi shokë fëmijërie dhe kemi luajtur futboll së bashku, ku ai shquhej për talentin e tij si portier dhe bëhej rrodhe për kapjen e topave, pas planzhoneve që nuk i ngjanin njëra-tjetrës. “Jam në luftë me fëmijët e sidomos me Bertin që banon në Tiranë dhe vajzat që kam këtu, pasi nuk duan që unë të punojë, sepse të tjerët kujtojnë, sikur e bëj nga skamja edhe pse nuk më mungon asgjë nga pensoni im por edhe fëmijët më shikojnë si mos më mirë dhe me gjithë të mirat. Por ata nuk e kuptojnë, se kjo punë më mban gjallë dhe më shtonë jetën, pasi klubet nuk i kam preferuar asnjëherë për të kaluar kohën, por me rastet që i sillte momenti.”, më tregonte ai me një zë shumë të qetë.
E shikoja që e ndihej mirë xha Rexhua, pasi edhe vetminë e luftonte me punë, sepse e kishe humbur edhe bashkëshorten e tij, që unë i flisja gjithmonë nënë Feruze, sa herë që shkëmbeheshim në rrugë kur isha me Bertin apo vetëm. Një nënë tipike memaliote: e qetë, e dashur, bujare dhe shumë punëtore, e cila kishte sjell në jetë plot dhjetë fëmijë, që u rritën, jo vetëm me dashurinë prindërore, por edhe të motrave dhe vëllezërve të tyre që ishin më të mëdhenj në moshë. Nuk i përmenda asnjëherë bashkëshorten e tij, përveçse kur e kisha ngushëlluar për largimin e saj, edhe pse dita që ai kalonte duke punuar në kopësht, ishte një llojë ngushëllimi. Nuk u mburr asnjëherë për punën që kishte bërë dhe titullin që i kishin dhënë, por fliste me respekt kur binte fjala për minierën dhe të gjithë ata që kishin punuar, duke vlerësuar sakrtificat e tyre dhe më habiti që të gjithë i quante “Heronjë të minierës”, sepse fati i suksesit dhe i të gjithëve në fund të çdo turni, ishte meritë e të gjithëve, pasi një gabim do të kishte një kosto, deri në një tragjedi.
Fliste pak, por duhej t’i gjeja kohën kur ai bëhej gati të mbyllte punën e paradites apo atë të pasdites dhe nuk e kishte problem nëse rinte ulur disa minuta për të biseduar edhe pse isha në moshën e djalit të tij, Bertit. Kishte ditë që përveç lodhjes, e shikoja edhe të mërzitur, por nuk e jepte veten. Ishin ato ditë, kur disa të vegjël në shpirt, të cilët vjedhin edhe familjen e tyre, ngaqë nuk i rezistojnë dotë kësaj energjie të keqe që ka ardhur në jetë bashkë me lindjen e tyre. “Nuk i kuptoj të uruarit, pse ma bëjnë këtë?! Nuk kam lënë njeri që ka ndalur dhe biseduar me mua, dhe ta kem lënë të jetë larguar me duart bosh! Mirë që futen dhe marrin sa të duan, aq shumë, sikur i shesin, por pse i shkelin fidanet, sikur nuk kanë ndërmend të kthehen dhe të vjedhin përsëri?!” – u shpreh xha Rexhua.
Më preku shumë, pasi në disa vende dukej shumë keq! Edhe një i verbër të kalonte dhe ta vizitonte, padyshim që do tregohej më i kujdesshëm se ata që kanë privilegjin të shikojnë. Kishte nja dy çanta që kishte mbushur me patëllxhane, speca, barbunja dhe tranguj që i kishte bërë gati për t’i marr me vete dhe për t’i çuar në shtëpi, dhe menjëherë shkoi tek një strehë që kishte improvizuar me degë të thata dhe kompesata, nxori nja dy çanta të tjetra dhe pasi i mbushi si ato që kishte për vete, i drejton nga mua me duart e tij të forta dhe të thekura nga dielli. “Merri, merri, se ka këtu për të gjithë.”, – dëgjova të më thoshte ai.
Më kishte dhënë edhe herë të tjera, por nuk ja prishje dot, pasi do ndihej më i lodhur se gjithë dita që kishte kaluar duke punuar aty. Pas disa ditësh, i mësova edhe emrat e treshes që e vizitonte shpesh kopshtin e tij, nëpër netët që dëgjoheshin vetëm të lehurat e qënëve. Ditën e takonin dhe projektonin se çfarë do vidhnin, dhe natën shkonin ndryshe, pasi nuk kishin nevojë për maska. Ishin disa tipa të çuditshëm, që ditën bënin burrin e ngulur dhe me norma, ndërsa natën kishin frikë nga nata dhe i jepnin zemër njëri-tjetrit; dhe për çfarë?! Për domate?!
Disa ditë para se të largohesha nga Memaliaj, e takova. Ishte hera e fundit që e kam parë. Po merrej me mbledhjen e patates. Isha duke bërë pelegrinazhin e Vjosës nga krahu i Kasaphanës, që të paktë janë ata memaliotë që nuk e bëjnë të paktën një herë në ditë. Më dukej, sikur tek ky burrë, nuk do trokiste kurrë vdekja! Pas ca kohësh, pyes për shëndetin e tij dhe një bashkëqytetar më thotë që një kanal televiziv që në vend të bënte lajmin me ata shqiptarë që me anë të pushtetit, ishin bërë milionierë, shkojnë dhe e takojnë tek kopshti ku ai punonte dhe e filmojnë duke punuar. Cilido të ketë qenë qëllimi i tyre, Heroit nuk mundën t’ia zbehnin dot këtë pagëzim me meritë që i kishte bërë koha, pasi nuk e gjetën kafeneve duke lujatur domino dhe u bërë xurxull, rrugëve, duke bërtitur si militantë, apo duke i rënë gjoksit si disa, por në punë, aty ku vetëm puna tregon realitetin dhe nuk mashtron asnjërin. Por aq pak sa kam folur me xha Rexhon, më ka lënë të kuptoj, se nuk ka qenë asnjëherë qëllimi i tij përgjatë punës që të bëhej “Hero i Punës”, por e bënë, pasi jo vetëm për punën që bënte, por shumë vonë, mësova nga veteranë të tjerë të minierës, për meritat e tij.
Ishte një nga paraditet e 28 dhjetorit të vitit 2016, kur shkova bashkë me kunatin tim, Albert Hodon, për një vizitë tek familja Kalemi, me banim në jugperëndim të Bruklinit, lagjje e Nju Jorkut. Shkuam, pasi deshëm të takonim prindërit e bashkëqytetarit tonë,Vasilit, Këze dhe Qemal Kalemin, të cilët kishin ardhur për çmallur me familjen e djalit të tyre. Përgjatë bisedës së tyre, plotë kujtime dhe mbresa, të cilat i mbaja edhe shënim, mësova për herë të parë edhe detaje të tjera për jetën dhe kontributin e “Heroit të Punës”, Rexho Idrizin.
Përgjatë bisedës, midis shumë të tjerash, dëgjoj veteranin e minierës, Qemal Kalemin të shprehet: “Në kujtimet e mia të shumta për kohën që kam punuar në Sektor të Parë, po ju tregoj një ngjarje jo shumë të këndshme që kemi përjetuar në ato vite. E kam fjalën për përballjen tonë me një aksident që përjetuam në thellësi të nëntokës, në një nga galeritë e Sektorit të Parë. Kjo ndodhi në ato shtresa të qymyrit, të cilatshtriheshin nën lumin Vjosë, ku edhe ne po punonim. Befas, hapet një vrimë dhe plasi uji, i cili sa vinte dhe vërshonte me shumë forcë e shpejtësi, ku u mbush plot me ujë edhe galeria, ku po punonim. Për fat të mirë shpëtuam të gjithë. Ndërsa në një galeri tjetër, ra dheu dhe ngelën mbrenda në minierë katër punëtorë. Galeria në fjalë ishte në Qafë të Miricës. Llava e kësaj galerie, ishte në afërsi të sipërfaqes që, po të gërmoje për lart, dilje në sipërfaqe, ndërsa po të gërmoje nga sipërfaqja, do dilje poshtë në galeri. Gjendja u alarmua shumë dhe disa i kapi paniku, pasi bëhej fjalë për jetën e katër punëtorëve të nëntokës. Të gjithë ngelëm pafjalë dhe e humbëm toruan për momentin nga kjo që po ndodhte. Për këtë u alarmua qeveria. Falë gjakftohtësisë së momentit, eksperienës dhe iteligjencës së minatorit Rexho Idriz Sinani, i cili ku në sajë të llogaritjeve të tij ekzakte, se nga cila pikë e sipërfaqes do të shpohej qoftë edhe për ajërim, u bë e mundur edhe shpëtimi i tyre. Rexhua filloi të gërmonte nga lart, pra nga sipërfaqja, pasi lartësia e tavanit të llavës me siperfaqen ishte pak më shumë se pesë metra. Aty ku e parashikoi Rexhua, ashtu doli. U gërmua dhe u hapë një vrimë me diametër sa të merrte një bojë njeriu, dhe më së fundi prekëm llavën. Aty pamë të katërt minatorët që kishin ngelur të bllokuar. Ata u nxorrën dhe u shpëtua jeta e tyre. Nga kjo ngjarje, Rexho Idriz Siani u shpall “Hero i Punës”. Edhe në një rast tjetër kur ështëvulosur dy herë në nëntokë minatori Qazim Hasimi: herën e parë ja shpëtoi jetën Rexhua; ndërsa jetën e dytë, Qazim ziu e humbi dhe nuk doli më. Rexhua e meritonte të bëhej “Hero i Punës”, jo vetëm se ishte njeri shumë i mirë, një punëtorë i palodhur, me eksperiencë, me kurajo dhe në fund të fundit, kishte shpëtuar jetë njerëzish dhe nuk kishte asnjë lloj çmimi. Për këtë, Rexhua kishte meritat e tij, pasi u shpëtoi jetën disave. Nga çfarë lartpërmenda, të gjithë minatorët që punonin me Rexhon, kishin një ndjesi sigurie. “Heroi i Punës” Rexho Idriz Sinani, ishte nga Kashishti dhe para se të fillonte punë në minierë, ka qënë mullixhi. Nuk ka dashur që të ndërronte këtë punë dhe e kanë marrë me forcë për të filluar punë në minierë. Pra, nganjëherë, ato që ndodhin në jetë duken sikur secila ka sahatin e vetë, pasi duhej të ndoshte kështu, pa të kishim Rexhon me punë në minierë dhe t’u shpëtonte jetën shokëve të tij. Më vonë, mbasi mbaroi së shfrytëzuari Sektori i I-rë, kalova me punë në Çiçaj që ishte Sek i IV-ët dhe punova si elektrovozist.”
Të tjerë bashkëqytetarë shprehin si më poshtë, respektin e tyre për “Heroin e Punës”.
Bashkim Durmishi: “Respekt për një “Hero të Punës” si Rexho Idrizi!”
Luan Zifla: “Vlerat, gjithmonë mbetën ndriçuese të udhëtimit historik të një populli! Më shumë se respekt “Heroit të Punës”, Rexho Idriz Sinanit!”
Fatos Hysesani: “Respekt dhe mirënjohje për plakun e urtë dhe punëtor, të palodhur “Heroin e Punës”, Rexho Idrizin!”
Myzafer Abedini: “Njeri i ndershëm. Punoi me shumë pasion dhe drejtësi. Njeri që shikonte punën e vete, kështu do ta kujtoj xha Rexhon, bashkëqytetarin dhe komshiun tim. I paharruar kujtimi tij!”
Angji Zhupa: “Respekte për “Heroin e Punës”, Rexho Idrizin! I paharruar kujtimi i tij!”
Shaban Qibini: “I paharruar kontributi i njeriut të punës! T’i rrojnë fëmijët!”
Guri Imeri: “Respekt për këta njerëz punëtorë! Nuk harrohen kurrë heronjtë e punës, ku një prej tyre është edhe Rexho Idriz Sinani!”
Pranvera Micka (Sotiriu): “Respekt për njeriun e mirë, punëtor dhe me të gjitha virtytet e shkëlqyera!”
“Heroi i Punës”, Rexho Idriz Sinani, nuk e ka lypur asnjëherë këtë vlerësim, por e kanë vlerësuar të tjerët që mund edhe ta dënonin, po ta kundërshtonte. Ai gjithmonë, me punën e tij, është përpjekur për t’a përmbushur akoma më shumë këtë stimul moral, që për kohën, ishte nga më të çmuarit për një shoqëri të izoluar si Shqipëria.
Të jem i sinqertë: Para se të nisja të shkruaja për këtë veteran lufte dhe pune, mendova të shkruaja sa më shkurt, por jo vetëm që nuk munda t’i tradhëtoja kujtimet e mia, por është edhe shpirti i një heroi të përmasave të tilla, i cili ka merita të veçanta edhe për shpëtimin e jetës së disa kolegëve të tij, ku u bë urë për jetën e dhjetëra fëmijëve, qindra stërnipësh dhe stërmbesash e pasardhësve të tyre në vazhdim.
Lavdi dhe mirënjohje për brezat e këtyre veteranëve të luftës dhe të punës, ku një prej tyre është edhe “Heroi i Punës”, Rexho Idriz Sinani, i cili me kontributin e tij, e ka fituar prej dekadash këtë titull që i prekte gjithë kufijtë e shpirtërorë dhe fizik të Shqipërisë.
Edmond Ismailati
Qershor 19, 2018 / New York City