Histori Vetëvendosja e Wilson që shpëtoi Shqipërinë dhe disa prapaskena të Konferencës së...

Vetëvendosja e Wilson që shpëtoi Shqipërinë dhe disa prapaskena të Konferencës së Paqes në Paris

Presidenti i SHBA, Woodrow Wilson

Parimi i vetëvendosjes ishte përcaktues në punimet e Konferencës së Paqes në Paris. Ai u prezantua dhe u mbrojt nga Presidenti i SHBA, Woodrow Wilson, edhe pse u kritikua se nuk ishte i përcaktuar qartësisht dhe linte hapësira të mëdha për interpretime sipas interesave të ndryshme.

Lufta e Parë Botërore, njohur edhe si Lufta e Madhe ndryshoi rrënjësisht botën. SHBA doli nga strofka e saj për herë të parë dhe u imponua si fuqi madhore. Europa kishte humbur besimin te forcat e veta dhe harta politike e “Kontinentit të Vjetër” ndryshoi rrënjësisht.

Në Rusi, revolucionin i 1917-s zëvendësoi carizmin me sistemin bolshevik, që pakkush e njihet se çfarë ishte në atë kohë. Austro-Hungaria u shpërbë duke lënë pas në mori popujsh me dëshirën e pasionin që ta përcaktonin vetë të ardhmen e tyre.

Perandoria Osmane dha grahmat e fundit. Perandoria Gjermane u shndërrua në republikë. Shtete të reja kombëtare u shfaqën e u njohën, si Shqipëria, Polonia, Lituania, Estonia dhe Letonia. Jugosllavia dhe Çekosllovakia lindën për herë të parë në hartën e Europës.

Nga të gjitha idetë e sjella në Europë nga Wilson, parimi i vetëvendosjes ishte më fisniku, por edhe më i kritikuari, për shkak të interpretimit. Gjatë punimeve të Konferencës së Parisit, kreu i misionit ushtarak amerikan në Vjenë vazhdimisht i kërkoi Uashingtonit që të shpjegonte këtë term.

Nuk mori përgjigje. Wilson vetë nuk e sqaroi dot asnjëherë publikisht se çfarë nënkuptonte me vetëvendosje. A ishte ajo autonomi për t’u zhvilluar, të drejta dhe liri për popujt më të vegjël, një zgjatim i vetëqeverisjes demokratike?

Edhe vetë Sekretari i Shtetit në atë kohë, Robert Lansing ngriti disa pyetje se çfarë nënkuptonte Presidenti me këtë parim. “Cila është njësia matëse e Presidentit kur flet për vetëvendosjen? I referohet racës, territorit, apo komunitetit? Si e përshkruan një komb?”, pyeste ai.

Nga e djathta në të majtë, Kryeministri britanik, Lloyd George, Kryeministri italian, Vittorio Orlando, Kryeministri francez, Georges Clemenceau dhe Presidenti i SHBA, Woodrow Wilson gjatë punimeve të Konferencës së paqes në Paris.

Në vitin 1919, Wilson deklaroi para Kongresin amerikane: “Kur ne shqiptuam për herë të parë se të gjitha kombet kanë të drejtë për vetëvendosje, ne e bëmë pa e ditur se ekzistonin gjithë këta popuj që u prezantuan para nesh çdo ditë”.

Wilson nuk e dha asnjëherë publikisht një përkufizim të parimit të vetëvendosjes. Por, idenë e tij e ka shtjelluar në një fjalim që shkroi për të bindur amerikanët që të mbështesnin marrëveshjet e arritura në Paris. Fjalimi nuk u lexua kurrë.

“Ajo që po kërkojmë është që këta popuj të kenë të drejtën për të jetuar jetën e tyre, të udhëhiqen nga qeveritë që i zgjedhin vetë. Ky është parimi amerikan i vetëvendosjes”, shkruan Presidenti Wilson.

Gjatë punimeve hapëse të Konferencës së Parisit. Foto e The Guardian

Presidenti amerikan shkoi në Paris me mendimin se natyra njerëzore përgjithësisht është e mirë. Këtu mori një përgjigje të hidhur nga Kryeministri francez, Georges Clemencau, që udhëhoqi Francën në Luftën e Parë Botërore pa u tërhequr nga asgjë përveçse fitores.

“Të lutem, mos më keqkupto. Kemi ardhur në këtë botë me instiktet dhe aspiratat fisnike që t’i flet kaq shpesh dhe kaq rrjedhshëm, por jemi shndërruar në këta që jemi sot, sepse i jemi përshtatur realitetit të ashpër ku jetojmë dhe mbijetuam vetëm sepse jemi individë të fortë. Kam jetuar në një botë ku ishte krejtësisht normale që të qëlloje një demokrat”, tha Clemenceau, duke nënkuptuar se Wilson mbërrinte nga një vend që prej dekadash demokracia ishte e mbrojtur dhe nuk e njihte mirë realitetin europian.

“Edhe Zoti u kënaq me 10 urdhëresa”

Kryeministri francez nuk kishte simpati as për Wilson dhe as për Kryeministri britanik, Lloyd George. “Kur ulem mes tyre më duket sikur jam ulur mes Jezus Krishtit dhe Napoleon Bonaparte”, shkruan Clemenceau në kujtimet e tij.

Për Wilson nuk mendonte se ishte një njeri i keq.

“Por, ende nuk kam vendosur se sa i mirë është si njeri në të vërtetë”, shton më tej. Clemenceau e konsideronte Wilson pak arrogant. “Sa arrogant është kur flet për Europën dhe sa e vështirë është që të arrish një marrëveshje me të. Ai ka besimin se mund të arrihet gjithçka nëse ndjekim formulën e tij me 14 pika. Edhe Zoti ishte i kënaqur me 10 urdhëresa. Wilson na imponoi me modesti 14 pikat e tij, 14 pikat e një teorie boshe”, u ankohej Clemenceau bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Punimet nisën me kërkesën franceze për ndëshkim të Gjermanisë dhe vendeve humbëse të luftës të boshtit qendror

Kur vjen puna për Kryeministrin britanik, Lloyd George, atë e konsideronte më argëtues, por shumë herë më dinak dhe të pabesë.

Pavarësisht pakënaqësisë franceze e britanike, Wilson ja doli mbanë që në Konferencën e Paqes të mbronte parimin e vetëvendosjes dhe bashkë me të edhe popujt e vegjël, mes të cilëve shqiptarët. Megjithatë, britanikët dhe francezët përmes një marrëveshjeje taktike shpërfillën këtë parim në Lindjen e Mesme, duke ndarë zonat e kontrollit. Në Ballkan, oreksi jugosllav e serb u pengua nga doktrina e Wilson dhe këmbëngulja e Italisë për të mbrojtur të paktën kufijtë e 2013-s të Shqipërisë.

Wilson shpëtoi kombe e shtete të vogla në këtë konferencë përmes një parimi që fuqitë e mëdha europiane deri në atë kohë as që e kishin dëgjuar. Kjo përplasje pështjelloi bisedimet, aq shumë sa Clemenceau u ankua: “Është më e lehtë të bësh luftë se sa paqe”.

Megjithatë, jo gjithçka që u arrit në Konferencën e Paqes në Paris u zbatua në terren ashtu siç u nënshkrua në letër. Në kohën që bisedimet vazhdonin pas dyerve të mbyllura, në shumë pjesë të Europës, përfshirë këtu Ballkanin popujt kishin marrë armët, kush për vetëmbrojtje, kush për të gllabëruar territoret e tjetrit.