Kosova do të vendosë reciprocitet ndaj Serbisë edhe në fusha të tjera, përveç se në targat e automjeteve. Paralajmërimin e bëri Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti. Përpara se barazia të vendoset do të ndërmerret dhe një proces shqyrtimi.
“Ne fillimisht duhet ta bëjmë një bilanc të marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel, do të shohim cilat marrëveshje po zbatohen, cilat janë barrierat dhe pengesat të cilës do formë që Serbia i ka ndaj Kosovës, qofshin ato barriera tarifore apo politike. Në të njëjtën monedhë, pastaj Republika e Kosovës do t’i aplikojë ndaj Serbisë. Në rastet kur shohim se ka ndryshim të qasjes atëherë kjo do të reflektojë edhe nga ana jonë. Reciprociteti është qasja e vetme dhe e duhur që ne do të ballafaqohemi me Serbinë”, u shpreh anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes Artan Abrashi.
Pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve, qëndrimi nuk ndryshon sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka të qartë qëndrimin sa i përket asociacionit të komunave serbe. Kjo pikë e marrëveshjeve që janë bërë në të kaluarën ka probleme me Kushtetutën e Kosovës. Ne konsiderojmë se ky propozim për themelimin e këtij entiteti është në dëm të funksiononim të brendshëm të Republikës së Kosovës, cenon elementet thelbësore të shtetit tonë”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se nuk do të ketë nxitim në procesin e dialogut me Serbinë. Problem i madh në gjetjen e një marrëveshje finale paraqitet qëndrimi i presidentit, Aleksandër Vuçiç kundër pavarësisë së Kosovës.
“Kjo për ne është problematike dhe pyetja shtrohet për çka të bisedohet me Serbinë. Ne nuk do të ngutemi do të shikojmë se cilat janë çështjet që mund t’i zgjidhim, por synimi final i Kosovës në këtë proces është njohja.”