Një ditë pas vdekjes së 18-vjeçares Bruna M. që i dha fund jetës me fostoksinë në Fiershegan të Lushnjës, prindërit e të fejuarit të saj hedhin poshtë çdo dyshim se e reja mund të jetë dhunuar psikologjikisht në atë shtëpi.
Për policinë, e cila po heton ngjarjen e rëndë, vajza dyshohet ta ketë kryer këtë veprim në kushte të rënduara psikologjike pas konflikteve të vazhdueshme me të fejuarin e saj 24-vjeçar nga një fshat pranë.
Familjarët e djalit përpiqen të shuajnë zërat që se çifti kishte probleme, duke hedhur dyshime se adoleshentja mund të jetë bullizuar nga shoqet e klasës, pasi studionte në vitin e tretë të shkollës së mesme.
Babai i 24-vjeçarit, Arben Drajçi thotë se çifti s’kanë pasur asnjëherë konflikte dhe se vajza bullizohej në shkollë.
Ai thekson se nusja e tij ka konsumuar fostoksinën dhe e ka lajmëruar djalin e tij Entilo Drajçi, në ditën që sipas tij ajo kishte ardhur duke qarë nga shkolla.
“E di dhe familja e saj sa mirë e kemi mbajtur, besoj nuk do jenë në kundërshtim me këtë, se po të ishin në kundërshtim mund të na e mbyllnin derën që ditën e parë atje. 99% i vjen nga shkolla, këto të dhëna i kemi deri diku. 99% i vjen nga shkolla. Edhe ditën që ka qenë në shkollë, mësuesit e mohojnë. Ajo ka qenë, e kemi të sigurt. Mund të ketë pasur këto xhelozitë e shoqeve. A ia kanë bërë kot, se ça, a qysh tek, këtë nuk e di. Por, presion në këtë shtëpi nuk ka pasur kurrë! Na thanë se ka dalë nga shkolla duke qarë. Janë të regjistruara në telefon, i tha çunit më merr tek shtëpia se ashtu kemi një biznes të vogël e ndërrohemi në orën 3, sa e solli këtu…Iku për të pirë një kafe me të vëllanë, i shkruan, ato janë të gjitha atje, hajde se unë piva kokërr. Ta kishte pasur këtë presion, ajo s’do i thoshte çunit hajde më merr, janë të gjitha të shkruara. Mendoj se këto portalet të jenë më të kujdesshme se edhe po të mos e kishim nuse djali, ne ndjejmë si prindër, jemi shumë të pastër në vetvete. Se ça thonë njerëzit, njeriut i ndodhka çdo gjë”, deklaroi vjehrri i të ndjerës.
Edhe bashkëshortja e tij, Sajmira, ka fjalët më të mira për nusen. Madje ajo e pikëlluar kërkon që të zbardhet e vërteta, pasi nusen e konsideronte si vajzën e saj.
“Vajza ka qenë e mirë. Unë kam lënë kokën për atë, ça na bëri neve nuk e di”, thotë ajo duke qarë.
“Unë s’kam mirë çunin, thotë do bëj të njëjtën gjë që bëri ajo. E mbanim në pëllëmbë të dorës, nuk i mungonte asgjë, shkoja në punë dhe torturohesha, thosha vetëm asaj mos t’i mungonte asgjë. I thoja, o Bruna mos u mundo me asgjë moj zemër. Dy dhoma janë, rri e qetë. Goca ka qenë e ngarkuar nga shkolla. Nuk ma kanë lënë rehat. Edhe atë ditë që ka qenë për herë të fundit, më thanë ka ikur duke qarë. Pasi erdhi nga shkolla, ka ikur te nëna vet dhe i ka thënë nuk jam mirë. I tha çunit hajde se kam pirë helm“, shton më tej.
Ajo rrëfen se ditën që ndodhi ngjarja e rëndë, e reja shkoi në shkollë për të dhënë një provim.
“Ja mesazhet. Mirëmengjes a je mirë? Njësoj ma, mezi po rri në këmbë se kam ethe. Muhabet grash…Do shkoj në shkollë se kam një provim dhe do vij. Mirë i them unë dhe unë shkoj në punë. Nusen e kam pasur shumë të rregullt, se nga kush i ka ardhur nuk dimë gjë.” “Këtë nuse e quani të dhunuar?!, thotë Sajmira duke shfaqur fotot e çiftit në telefon.
Ngjarja e rëndë u raportua mesditën e të premtes. Mësohet se të rinjtë ishin martuar prej një muaji, ndërsa policia e Lushnjës, në njoftimin e saj për mediat, thotë se ka dyshime se bashkëshorti i 18-vjeçares ishte tejet xheloz dhe se kishin zënka të vazhdueshme. Viktima 18 vjeçare dhe djali 24 vjeçar ishin njohur 2 vjet më parë në rrjetet sociale.
Policia e Lushnjës po heton në gjendje të lirë djalin, ndërsa atij i është marrë telefoni dhe është pyetur në lidhje me ngjarjen.