Policia ka arrestuar bashkëshortin e 41-vjeçares që humbi jetën 4 ditë më parë, si pasojë e konsumimit të fotoksinës. Nga hetimet rezultoi se 45-vjeçari ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme, bashkëshorten e tij. 45-vjeçari, kur ishte kthyer nga Greqia, e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten, me mjet prerës thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.
Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të konsumimit të lëndës helmuese nga 41-vjeçarja Bedrie Loka, e cila më pas humbi jetën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin Xhemal Loka, 45 vjeç, i cili përkohësisht jetonte në Greqi, për shkak të punës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Xhemal Loka, 45 vjeç, kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij. Gjithashtu, nga hetimet e thelluara rezultoi se më datë 27.12.2023, Xhemal Loka e ka kërcënuar bashkëshorten me thikë, për të vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Për këtë rast, shtetasja Bedrie Loka nuk ka bërë kallëzim në Polici.
Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e Xhemal Lokës, cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.
Ky celular, bashkë me celularin e Bedrie Lokës, janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes. Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi Bedrie Lokën të konsumonte lëndë helmuese.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën.
Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryhen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të Bedrie Lokes, në rrjetin social “Tik Tok”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.