Arben Pjeçi, nënkomisar në policinë e Durrësit, u vetëvra pasditen e të enjtes në ambientet e zyrës së tij, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Oficeri ishte dënuar së fundmi nga Gjykata e Apelit për “Plagosje të lehtë”, gjë që e kushtëzonte që në të ardhmen të ndërpriste marrëdhënien e punës me Policinë e Shtetit.
Teksa këtë të premte u përcoll për në banesën e fundit, miqtë dhe kolegët ishin të shokuar nga ngjarja.
Në një prononcim për media ata u shprehën se Pjeçi ishte një njeri shumë i ndershëm dhe me sedër, çka vendimi i formës së prerë të gjykatës mund ta ketë shtyrë drejt aktit ekstrem.
“Mik i mirë dhe njeri shumë i mirë. Na ka ardhur shumë keq”, deklaroi një miku i tij.
Një ish-koleg i përlotur e përkujtoi të ndjerin si një njeri të mrekullueshëm: “Nuk mund të shprehem se e kam pasur shumë mik, shumë mik! E merrja në punë se kisha makinën unë. Unë kam punuar para 6 vitesh me të. Më pas takoheshim këtu çdo natë pinim kafen bashkë. E kam pasur shumë mik e vlla”.
“Ishte shumë shumë i ndershëm, jashtë mase. As familja nuk kishte kuptuar gjë. Ikte në punë normalisht”, deklaroi një tjetër mik i oficerit.
Edhe komshinjtë ishin shokuar nga gjendja e rëndë.
“Unë jam komshiu i tij. Ishte çun me sedër, me kulturë, me shkollë, i paparë, më vjen shumë keq. U çuditëm si ndodhi”, tha një fqinj i tij.