Kur hapi dyert për herë të parë në vitin 1920, Hoteli Cecil në Los Anxhelos ishte shumë i kërkuar nga biznesmenët, të cilët pëlqenin hollin me mermer dhe palmat.
Por, ndërkohë që holli ishte i mrekullueshëm, 700 dhomat e këtij hoteli dhe personazhet që kaluan natën aty e bënë atë një nga hotelet më famëkeqe në botë, ku vdiqën qindra njerëz dhe vrasësit serialë pushonin pas krimeve makabre.
Sekretet e hotelit Cecil, që ka qenë mikpritësi i vrasësve serialë si Richard Ramirez dhe Jack Unterweger, do të zbulohen së shpejti në një dokumentar të Netflix-it. Menaxherja e përgjithshme e hotelit në periudhën 2007-2017, Amy Price, u shpreh: “Sapo kisha nisur punën kur menaxheri i mirëmbajtjes më tha se kishim një problem. Një klient kishte vdekur në hotel. Kur po më çonte te viktima, po më tregonte edhe vendet e tjera ku kishin vdekur klientë të tjerë përgjatë viteve. Vetëvrasje, mbidoza, vrasje… U shokova”.
“Gjatë kohës sime si menaxhere, kanë vdekur rreth 80 persona. Kemi pasur edhe mijëra telefonata nga hoteli drejt policisë”, shtoi Price.
Vetëvrasja e parë e dokumentuar në hotel ishte në vitin 1931, ndërsa në vitin 1964, Goldie Osgood, u gjet e vdekur në dhomën e saj. Ajo ishte përdhunuar, goditur me thikë dhe rrahur.
Në vitin 1985, hoteli ishte banesa e vrasësit serial Richard Ramirez. Për disa javë, ai pagoi 15 dollarë natën, ndërkohë që planifikonte sulmet ndaj grave dhe fëmijëve.
Hoteli u mbyll në vitin 2017 dhe tani po rizhvillohet si kompleks rezidencial. Interesant për t’u parë se kush do të dëshirojë të banojë në një vend të tillë…