Shkarkohet nga detyra Vehbi Bushati, drejtori i Policisë së Lezhës. Vendimi u mor nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për shkak se Bushati nuk dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm për procesin e vettingut.
Në një njoftim për mediat, AMP thotë se “Pas shqyrtimit të dokumentacionit në dosjen e subjektit të vlerësimit z. Vehbi Bushati me detyrë Drejtor i Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, relatori i çështjes parashtroi faktet dhe rrethanat si më poshtë: Me shkresën nr.*** datë 10.03.2023, Vërtetim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, z.Vehbi Bushati ka dorëzuar: formularët e deklarimit për kontrollim e figurës për vlerësimin kalimtar dhe periodik me numër faqesh: S’ka. Formularët e vlerësimit të aftësive profesionale për vlerësimin kalimtar dhe periodik me numër faqesh: S’ka. Formularët e vlerësimit të pasurisë për vlerësimin kalimtar dhe periodik me numër faqesh: S’ka. Dokumente shoqërues që vërtetojnë vërtetësinë e deklarimeve me numër faqesh: S’ka”.
“Vehbi Bushati me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë nuk ka plotësuar dhe dorëzuar formularët e deklarimit të Pasurisë, deklaratën e Kontrollit të Figurës dhe formularin e Vlerësimit të Aftësive Profesionale”, thuhet në njoftim. Ndaj dhe trupa Vlerësimit e Agjencisë Mbikëqyrjes Policore, vendosi shkarkimin e tij nga detyra.
“Trupa e Vlerësimit e Agjencisë Mbikëqyrjes Policore vendosi: Largimin nga pozicionet e përcaktuara në nenin 6 të ligjit 12/2018, i ndryshuar, të subjektit të vlerësimit, z.Vehbi Bushati me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) është organi kompetent që kryen procesin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.