Pas nisjes së verifikimeve nga SPAK për videon e kryebashkiakut të Bulqizës, ka reaguar ky i fundit në një postim në Facebook, ku thotë se do të padisë ish-deputetin e PD Ervin Salianji.
Lefter Alla pretendon se video ku përflitet emri i tij duke pirë lëndë narkotike kokainë, thotë se është montazh dhe për këtë akuzon Partinë Demokratike.
Sipas kryebashkiakut të Bulqizës, kjo video është bërë në bashkëpunim nga PD me një televizion lokal.
Alla thotë se ka qenë në dijeni të kësaj videoje prej 1 viti, si dhe bën thirrje për zbardhje të kësaj ngjarje.
“Dua të informoj opinion publik të Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë, me të drejtë të shokuar nga një video-montazh të publikuar në bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe një televizion lokal, se sot jam nisur drejt Tiranës ku do të depozitoj një padi në ngarkim të shtetasit Ervin Salianji, një person me aktivitet përsëritës kriminal për situata të ngjashme, referuar organeve të drejtësisë shqiptare.
Dua të sqaroj gjithashtu se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë. Prandaj deklaroj se unë do të pres zbardhjen e çdo vepre penale nga drejtësia. Kushdo që më akuzon mua të presë veprimet e Prokurorisë dhe vendimin përkatës të Gjykatës”, deklaron Lefter Alla.