Mediat greke kanë publikuar momentin tragjik kur dy trenat përplasen kokë më kokë në Larisa. Përplasja është kaq e fortë, sa menjëherë shpërthejnë flakët.
Nga ajo që mund të shihet edhe në video trenat udhëtonin në të njëjtën hekurudhë, me shpejtësi prej 166 km/h, duke e bërë të pamundur shmangien e përplasjes.
Të paktën 40 persona humbën jetën nga ky aksident fatal. 85 të tjerë mbetën të plagosur, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Ngjarja tragjike ndodhi pak pas orës 23:00, me orën lokale. Në aksident u përfshinë një tren udhëtarësh ku ndodheshin rreth 350 persona, me një tren mallrash. Përveç zjarrit, 3 vagonë të trenit të udhëtarëve përfunduan jashtë shinave.
Autoritetet greke vunë në pranga në mesditë përgjegjësin e stacionit hekurudhor në Larisa, teksa hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë.
Ndërkohë, ka dhënë dorëheqjen dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Kostas Karamanlis.
“Prej disa vitesh kontribuoj në politikë, por e konsideroj një element të rëndësishëm të demokracisë që qytetarët e vendit tonë të kenë ende besim në sistemin tonë politik. Kjo quhet përgjegjësi politike. Për këtë arsye jap dorëheqjen si ministër i Infrastrukturës dhe Transportit. Kjo është më e pakta që mund të bëj në shenjë respekti”, shkruan Karamanlis.