Aktualitet VIDEO: Pamjet e grabitjes së bankës në Koplik

VIDEO: Pamjet e grabitjes së bankës në Koplik

Ky është momenti kur Bekim Gurraj, Armir dhe Admir Shabaj tashmë të arrestuar grabisin bankën e nivelit të dytë në Koplik mesditën e datës 9 Maj.

Tv Klan ka siguruar këto video ekskluzive ku shihen autorët teksa ndalojnë automjetin e tyre tip “Golf 3” para bankës dhe menjëherë i drejtohen nën kërcënimin e armës punonjësit të sigurisë.

Me veshje sportive dhe të maskuar për t’u mos u identifikuar, autorët arrijnë të futen brenda bankës. Me vete tërheqin dhe punonjësin e sigurisë. Sapo futen brenda, nën kërcënimin e një kallashnikovi, njëri prej tyre shtrin në tokë punonjësin e sigurisë dhe një klient.

Dy të tjerët marrin paratë nga arka. Vetëm pak minuta i duhen 3 autorëve për të marrë nga banka një shumë prej rreth 15 mijë eurosh. Me paratë në çante, 3 autorët largohen nga banka me automjetin tip “Golf 3”, për t’u arrestuar këtë të dielë, afro 1 muaj më vonë. Ata janë Bekim Gurraj, Armir dhe Admir Shabaj.

‘Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore se autorët e sipërpërmendur, për kryerjen e aktivitetit kriminal, kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik.’

Më pas po nën kërcënimin e armës grabitën një tjetër automjet me të cilin u larguan në drejtim të Sheganit dhe ku më pas e braktisën atë.

Po në këtë zonë, policia e Shkodrës gjeti dhe sekuestroi njërin prej kallashnikovëve të përdorura në grabitje. Ndërsa në banesën e njërit prej autorëve, Bekim Gurraj u gjetën dhe sekuestruan pajisje dhe veshje të policisë mes tyre dhe radio marrës të cilat ky person i kishte përdorur ditën e ngjarjes për të këqyrur lëvizjet në bankë para grabitjes.

Në kuadër të këtij operacioni blutë e Shkodrës gjatë kontrollit tek banesa e një të afërmi të autorëve, Albin Shabaj policia gjeti dhe sekuestroi 9 kg kanabis ndërsa në pranga përfunduan 3 persona. Konkretisht vëllezërit Albin Shabaj dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj.

Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e Ramiz Nikdudajt policia gjeti 22 kg kanabis, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës së këtij shtetasi. Dhe ky i fundit përfundoi në prangat e policisë duke e çuar në 9 numrin e të arrestuarve në kuadër të operacionit të koduar ‘Syri i Sheganit’.

Burimi: Tv Klan