Politika VIDEO/ Përplasja e fortë e Bardhit me Shehajn jashtë kamerave të Parlamentit:...

VIDEO/ Përplasja e fortë e Bardhit me Shehajn jashtë kamerave të Parlamentit: Ti i ke rrahur demokratët

Sherri sot në Kuvend ishte mes demokratëve. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi është përfshirë në debat me deputetin e pavarur Agron Shehaj.

Ky i fundit prej gati dy orësh bllokoi foltoren dhe nuk lejoi as deputetët e maxhorancës dhe as ata të opozitës që të mbanin fjalën.

Edhe pas tentativave dhe kërkesave të kolegëve, ai sërish nuk ka pranuar të lirojë foltoren, edhe pas përjashtimit nga seanca.

”Po bëhesh shërbëtor i këtyre”, i thotë Bardhi Shehajt pas ndërprerjes së seancës.

Shehaj i ka kujtuar Bardhit faktin që ka qenë në selinë e PD-së, në atë kohë në krah të Lulzim Bashës, kur demokratët, në 8 janar 2022 u rrahën teksa kërkonin të futeshin brenda godinës.

”Ti i ke rrahur demokratët, ti i ke rrahur”, dëgjohet t’i thotë Shehaj Bardhit.

Pas konfliktit, Agron Shehaj, kryetar i partisë “Mundësia” ka njoftuar ndarjen përfundimtare me Partinë Demokratike, pas përplasjeve fizike sot në Kuvend me Flamur Nokën dhe debatin me Gazment Bardhin. Shehaj pranoi se ka patur komunikime me PD-në, por pas ditës së sotme gjithçka zerohet. “Rrugët tona ndahen”, tha ai gjatë deklaratës për mediat, jashtë Kuvendit.

“Garda e komanduar nga Edi Rama, nga kryetarja e Kuvendit e lejoi që kjo të ndodhte në Kuvendin e Shqipërisë. Lejoi që një deputet i opozitës që donte të merrte fjalën për vjedhjen që i ishin bërë shqiptarëve, për një aferë 1.3 mld euro të dhunohej brenda në Kuvendin e Shqipërisë. Shqiptarët e gjykojnë vetë. Kur bën një opozitë të vërtetë, kur flet për një vjedhje, të gjithë bëhen bashkë për të ndaluar dhe penguar që kjo gjë të ndodhë edhe në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Agron Shehaj duke komentuar përplasjen e tij fizike me Flamur Nokën në sallën e Parlamentit.