Një incident i rëndë ka ndodhur në fund të ndeshjes Tirana-Bylis. Pas përfundimit të sfidës me shifrat 2-2 ku bardheblutë lanë kreun e renditjes, tifozët kanë hyrë në fushë për të sulmuar gjyqtarin Kridens Meta.
Të parët ishin lojtarët dhe stafi i bardhebluve që rrethuan gjyqtarin Meta, i cili akuzohej nga ata për një penallti që akordoi në favor të Bylisit, nga e cila erdhi barazimi i shifrave.
Më pas, ishin tifozët e tensionuar të cilët hynë në fushë të shumtë në numër, duke rrethuar gjyqtarin dhe duke tentuar të godasin atë dhe vijërojtësit. Policia dhe forcat e sigurisë, ia dolën pas disa çastesh kaosi të shoqëronin në dhomat e zhveshjeve gjyqtarët e sfidës.
Tashmë, Partizani dhe Tirana janë në kuotën e 64 pikëve, por “Demat e Kuq” janë në krye pasi ka arritur të fitojnë në të dyja ndeshjet direkte. Javën e fundit, më 29 maj, Partizani do të presë Teutën dhe një fitore ndaj durrsakëve do t’i shpallte kampion, ndërsa Tirana do të luajë në transfertë ndaj Erzenit.