Një incident i rëndë ka ndodhur sot mes një efektivi të policisë dhe gazetares Anila Hoxha në vendin e ngjarjes ku u gjet trupi i pajetë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha.
Siç mund të shikohet edhe nga këto pamje që ka publikuar gazeta Panorama, efektivi e ka shtyrë gazetaren e cila ishte pranë shiritit të verdhë që vendos policia për skenën e krimit.
Ajo që e bën më të rëndë këtë gjest është fakti që gazetarja ka rrezikuar jetën pasi efektivi e ka shtyrë drejt greminës, por fati ka qenë me Anila Hoxhën pasi e ka mbajtur një degë peme.
Ka qenë dhe operatori që po filmonte i cili e ka ndihmuar gazetaren të ngrihej, e cila ka shpërthyer e revoltuar me gjestin e efektivit duke i thënë: “Çfarë polici je ti more, copa e injorantit. Po nuk ke faj ti, fajin e kanë ata që ju mbajnë në punë”.
“Shpëtova për pak, u kapa tek pema”.
Gazetarja ka paralajmëruar se do të bëjë kallëzim në prokurori në lidhje me këtë incident.
“Do të denoncoj dhe do merrem personalisht me ty. Rrugaç”, u shpreh e irrituar gazetarja.
Me tej teksa bisedonte me kolegët, gazetarja Hoxha sqaroi: “Më hodhi në humnerë, nuk po bëja asgjë. Po rrinim në shirit. Unë nuk jam person që sulmoj policinë, po rrinim në shirit. Kjo është e llahtarshme. Më hodhi ore”!