U zhvillua këtë të premte ceremonia me rastin e 30-vjetorit të krijimit të RENEA-s. Të pranishëm në ambientet e forcave speciale në Yzberisht ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, politikanë etj.
Ata u bënë dëshmitarë të një “operacioni” të Repartit të Neutralizimit të Elementit të Armatosur. Forcat speciale kishin menduar që të demonstronin veprimet e tyre në një situatë të caktuar. Forcat elitë kombinuan taktikat e ndërhyrjes duke nisur nga uji e duke përfunduar me sukses në një ndërtesë.
Nano dhe Çuçi: Struktura më e mirë
“Operacionet e repartit elitë të Policisë së Shtetit janë histori suksesi sepse kanë pasur në fokus situata pengmarrjesh, neutralizim bandash dhe grupesh terroriste. Ndihemi krenarë për RENEA-n”, tha Nano.
Ndërsa ministri Çuçi u shpreh: “Gjatë jetës sime, kam mësuar se njerëzit mund të harrojnë se çfarë është thënë apo çfarë është bërë, por ata nuk do të harrojnë asnjëherë se si i keni bërë të ndihen. Sot, jo vetëm Policia e Shtetit në përgjithësi, por forcat RENEA në veçanti kanë bërë që qytetarët e këtij vendi, dhe të gjithë ne, të ndihemi më të sigurt dhe komod në shtëpitë, rrugët dhe punët tona”.
Historia e RENEA-s
Forcat speciale nisën në vitin 1982 kur u krijua Batalioni 326 i Ministrisë së Brendshme. Fillimisht ky batalion pati detyra antidemonstratë. Efektivët e përzgjedhur për të shërbyer ishin zakonisht ushtarakë profesionistë që vinin nga policia, Garda, ushtria dhe nga zhytësit e Marinës Luftarake. Kjo në fakt do të shërbente edhe si bërthama e mëvonshme për ngritjen e RENEA-s.
Në vitet 1990, do të quhej Reparti 326 dhe do të merrte detyra të reja për shkak të rritjes së kriminalitetit.
Numri real i forcave RENEA mbahet sekret, por mendohet të jetë rreth 200.
Fillimisht ishte i organizuar sipas sistemit ushtarak të Regjimentit 22 Special Air Service (SAS) britanik, me skuadra bazë prej 4 personash. Kjo sepse Policia e Shtetit ishte një organizëm ushtarak dhe ishte parashikuar përdorimi i policisë në rast lufte.
Por tashmë reforma e policisë i ka përjashtuar detyrat ushtarake të saj në rast lufte, kështu që edhe RENEA është riorganizuar në këtë frymë, duke marrë si pikë referimi jo më SAS, por njësi evropiane me detyrë ekskluzivisht Rendin Publik si gjermanen GSG-9 (GrenschutzGruppe 9-grupi 9 i Policisë Federale Kufitare), italianen GIS dhe NOCS, francezen GIGN. Por taktikat e referimit, si për të gjitha njësitë antiterroriste të botës, mbeten ato të SAS.