Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar sot në lidhje me videon e postuar nga kryeministri Edi Rama në fillim të këtij viti, ku shihet në krah të Ismail Qemalit.
Video e Ramës është realizuar nga inteligjenca artificiale dhe kreu demokrat shprehet se Rama mund të shëtisë vetëm në botën virtuale me babain e Pavarësisë, pasi në realitet sipas Berishës, ai shoqërohet me banditë e trafikantë të cilët i ka futur në qeveri duke i emëruar me poste të larta.
“Mirëdita, miq! Edi Rama ka zgjedhur të shoqërohet dhe të shëtisë me “Ismail Qemalin”, por vetëm në botën virtuale. Sepse, në botën reale ai shoqërohet me hajdutë, me banditë dhe trafikantë. Ata, ai i ka futur në qeveri, i ka futur në parlament, i emëron në postet ndër më të lartat. Të tjerëve u jep lejet e kullave, i shpall investitorë strategjikë, duke ndarë me ta fitime të mëdha. Dielli me shoshë nuk mbulohet!”, shprehet Berisha, duke e shoqëruar postimin edhe me funksionarë të PS të hetuar nga SPAK.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook një video urimi në mëngjesin e parë të vitit 2025, ku shfaqet duke ecur krah babait të kombit, Ismail Qemali.
Video është realizuar duke përdorur inteligjencën artificiale. Rama dhe Ismail Qemali shihen teksa ecin në pjesë të ndryshme të Tiranës, ndërsa në fund ndalen para shtëpisë së pavarësisë.