Sport Videoja që po bën xhiron e botës, Pelé “thërret” Neymar te Santos...

Videoja që po bën xhiron e botës, Pelé “thërret” Neymar te Santos përmes Inteligjencës Artificiale: Kthehu në shtëpi princ

Inteligjenca Artificiale ka goditur sërish në botën e futbollit, dhe kësaj here në një mënyrë vërtet emocionuese: duke bindur Neymar dhe babanë e tij, i cili është edhe menaxheri i tij, që të firmosë për Santos.

Vendimtar në këtë proces ka qenë një video e krijuar me Inteligjencë Artificiale, ku vetë Pelé, me zërin e tij të rikrijuar në mënyrë magjike, i bën thirrje ish-yllit të Al Hilal, PSG dhe Barcelonës për t’u rikthyer te klubi brazilian: “Santos dhe Brazili kanë nevojë për ty, Ney. Mendoj se vetëm një person mund të mbajë fanellën time. Të lejoj të përdorësh fronin dhe kurorën time.”

Ende nuk ka një zyrtarizim, por gjithçka duket e përgatitur në mënyrë perfekte: Neymar është gati të rikthehet në shtëpi, te Santos, klubi ku nisi rrugëtimi i tij i jashtëzakonshëm, që më pas e çoi drejt lavdisë me Barcelonën, ëndrrave me PSG dhe festimeve në Arabinë Saudite me Al Hilal. Në mes të kësaj aventure janë edhe 130 paraqitjet me kombëtaren e Brazilit.

Por ajo që e ka bindur Neymar dhe menaxherin e tij për të kthyer sytë nga Santos nuk është një ofertë financiare, por një “hile” teknologjike që po bën xhiron e botës në internet: zëri i Pelé, i rikrijuar nga Inteligjenca Artificiale, i cili e shpall përfundimisht Neymar si trashëgimtarin e tij.

Për tifozët brazilianë, nuk ka rëndësi nëse zëri i legjendës është krijuar nga një algoritëm. Emocioni ka qenë gjithsesi i jashtëzakonshëm.

“Përshëndetje, Ney. Ndoshta e di kush po të flet. Si po shkon me Peixe-n tonë, eh? Nga këtu lart shoh gjithçka. Kohë të vështira. Qyteti është i trishtuar. Qyteti është bërë i errët. Froni im është bosh. Fanella ime është ruajtur, dhe ende nuk ka ardhur askush që mund ta mbajë atë. Në fakt, mendoj se vetëm një person mund ta bëjë.”

Mesazhi vazhdon me një tonalitet prekës dhe nostalgjik:

“Një djalë i caktuar që u rrit këtu, fitoi gjithçka dhe ishte më i lumturi pikërisht këtu. Ai u bë një idhull kombëtar dhe më pas udhëtoi nëpër botë për t’u shndërruar në një yll global. Unë dhe ti jemi të tillë, Ney. Jo vetëm Santos, por edhe Brazili ka nevojë për ty sërish. Dëgjoje zemrën tënde, kthehu në shtëpi. Në qytetin tënd. Te njerëzit e tu. Të lejoj të përdorësh fronin dhe kurorën time. Bëj spektaklin tënd sërish në Vila dhe përgatitu të na çosh drejt titullit të gjashtë botëror. A e mban mend çfarë ke premtuar? ‘Do të largohem, por do të kthehem.’ Unë do të të duartrokas gjithmonë nga këtu lart. Princi im.”

Ky mesazh, sipas mediave braziliane, e ka prekur aq shumë babanë e Neymar, saqë ai ka lënë mënjanë aspektin financiar dhe ka vendosur të ndjekë zemrën.

Ndërkohë, Santos ka filluar të postojë në rrjetet sociale mesazhe të shumta që lidhen me rikthimin e Neymar, i cili pritet të zyrtarizohet brenda kësaj fundjave. Fillimisht, ai do të firmosë një kontratë pesëmujore deri në fund të sezonit, me opsionin për ta rinovuar edhe për një vit tjetër. Kjo do t’i mundësonte të luante me Santos deri në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.