Tre shtetas rumunë janë shpallur në kërkim pasi është konstatuar se kanë vjedhur shuma monetare duke ndërhyrë në sistemet kompjuterike, me anë të prodhimit të kartave të klonuara, kartave te vjedhura dhe duke dëmtuar ATM, me mjete të forta në dy institucione të ndryshme financiare në Tiranë.
Sipas policisë, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre rumunët: Florin Oprinoiu 51 vjeç, Marian Mihai, 45 vjeç, Adrian Simoiu, 20 vjeç, të tre banues në Rumani.
Bëhet e ditur se ngjarjet kanë ndodhur në data të ndryshme ku Policia ka arritur të zbardhë, dy raste mbetur në tentativë dhe 4 vjedhje të kësaj natyre, të kryera nga këta 3 persona.
Tre të shpallurit në kërkim arrinin që të klononin karta bankomati dhe kanë arritur që të marrin rreth 5 mln lekë.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura më datë 09.12.2023 dhe 06.01.2024, ku u tentua dhe u vodhën disa ATM të institucioneve financiare në Tiranë, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i hetimeve intensive të kryera, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit: F. O., 51 vjeç, M. M., 45 vjeç, A. S., 20 vjeç, të tre shtetas Rumun dhe banues në Rumani.
Nga veprimet hetimore intensive të kryera ka rezultuar, se këta shtetas, më datë 09.12.2023 dhe 06.01.2024, kanë tentuar të vjedhin dhe gjithashtu kanë vjedhur, me anë të ndërhyrjes në sistemet kompjuterike, me karta të klonuara, karta të vjedhura në shtete të huaja dhe duke dëmtuar disa ATM në Tiranë, shuma parash, në disa ATM po në kryeqytet. Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, janë autorë të 2 rasteve të mbetur në tentativë, 1 vjedhjeje në datë 06.01.2024, dhe të 3 vjedhjeve të tjera, të ndodhura më datë 09.12.2023”, njoftoi policia.
Policia ndërkohë vijon hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve kriminale dhe identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm të implikuar në këtë veprimtari.