Zyra e Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit ka zbuluar një skemë të vjedhjes së të dhënave bankare, duke shkaktuar një dëm miliona lekë.
Gjatë operacionit të koduar “smartphone”, janë arrestuar dy të rinj Qirjako Topi 21 vjeç dhe Igen Basha 18 vjeç të akuzuar për mashtrim kompjuterik. Ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 5 të tjerë, E. H. 21 vjeç, E. Sh. 19 vjeç, Dh. T. 23 vjeç, M. M. 33 vjeç (shtetas i huaj) dhe S. S 26 vjeç (shtetas i huaj).
Hetimet nisën pas kallëzimit nga një kompani e telefonisë së lëvizshme dhe u zbulua se një nga të arrestuarit në bashkëpunim me të tjerët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, kanë përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të vendit, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se vetëm në një kompani këta persona kanë kryer një dëm prej rreth 33.000.000 Lekësh, ndërkohë dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte online dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim.
Gjithashtu, nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier u kontrolluan disa banesa dhe ambiente dhe me cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefona celular, laptopë dhe dokumente, fatura të ndryshme bankare etj. Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.