Policia e Fierit ka vënë në pranga një hajdut, i cili u vidhte portofolat pacientëve që shkonin në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier për të marrë ndihmë mjekësore.
Kapja e tij erdhi pas një pune hetimore 1 mujore, ndërsa në pranga ka rënë shtetasi Nikollaq Liçi, 62 vjeç, banues në Kuçovë.
Policia thotë se i arrestuari ishte kthyer në një shqetësim për të moshuarit që merrnin shërbimet në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.
“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, ky shtetas dyshohet se në kohë të ndryshme ka kryer disa vjedhje, ku nga puna hetimore e deritanishme është bërë e mundur dokumentimi i tre prej tyre, konkretisht vjedhja e portofolit të shtetasit G.T., I.D, dhe A.Gj”.
Policia vijon punën për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes të kryera nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Vjedhja”.