Banka Kombëtare Tregtare dha dhjetëra milionë euro kredi për dy kompani në formë trusti të regjistruara në Zvicër, duke ngritur shqetësime për mospërmbushjen e vigjilencës së duhur ndaj rrezikut për pastrim parash.
Besar Likmeta / BIRN | Tiranë
Banka Kombëtare Tregtare është banka më e madhe dhe më vjetër në Shqipëri, me më shumë se 2.9 miliardë USD depozita dhe një kapital të nënshkruar prej 274 milionë USD për vitin 2018-të. Në të njëjtin vit BKT është vlerësuar si banka më e mirë në vend nga revista britanike ‘The Banker’.
Gjatë fjalimit përshëndetës të mbajtur në nëntor në ceremoninë e dhënies së çmimit, kryetari i bordit drejtues, Mehmet Usta theksoi se ky vlerësim tregon qartë pozicioni dominues të BKT në tregun bankar shqiptar.
“Në BKT, ne i kuptojmë oraret e zgjatura, këmbënguljen, vizionin dhe përkushtimin e nevojshëm për të arritur një sukses të tillë prandaj e vlerësoj akoma më shumë që një punë kaq e madhe nuk ka kaluar pa u vënë re”, tha ai.
Përkushtimi për të qenë të suksesshëm mund ta kenë ngritur bankën me aksionarë turq në majat e piramidës së tregut bankar në Shqipëri; megjithatë, praktikat e saj të biznesit jo gjithmonë kanë gjetur mirëkuptimin e autoriteteve vendase – në mënyrë të veçantë në respektin e kuadrit ligjor në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe masat kundër financimit të terrorizmit.
Të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë se një inspektim i përbashkët i ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, DPPP dhe Banka e Shqipërisë, ka ngritur një numër ‘flamujsh të kuq’ mbi marrëdhënien e biznesit me kompani ‘offshore’ të regjistruara në Zvicër dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për të cilat BKT ka transaksione me vlera të larta, por nuk ka dokumentacion të plotë ose nuk ka mbledhur mjaftueshëm informacion për qëllimin dhe natyrën biznesit dhe burimin e të ardhurave.
Duke i cilësuar këto mangësi si shkelje administrative serioze, dhe për faktin se ka pasur masa administrative të mëparshme, DPPP ka marrë vendimin për ta dënuar Bankën Kombëtarë Tregtare me një gjobë prej 3 milionë lekë për shkelje të dispozitave të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave për identifikimin e pronësisë, strukturës dhe transaksioneve të klientit. BKT është gjobitur gjithashtu me 2 milionë lekë për mosplotësim të detyrimeve për vigjilencën ndaj klientit.
BKT i ka kundërshtuar gjetjet e aktit të inspektimit dhe e ka ankimuar çështjen në Gjykatën Administrative në Tiranë, e cila ka vendosur për rrëzimin e padisë dhe konfirmim e masës administrative. Ky vendim i Gjykatës Administrative është apeluar.
Drejtori i menaxhimit riskut në BKT, Ndue Maluta i tha BIRN se bëhej fjalë për masa administrative që nuk kanë të bëjnë me pastrimin e parave, ndërkohë që nënvizoi se kreditë e dhëna ndaj kompanive jashtë vendit janë paguar.
“Banka është e mirë-kapitalizuar dhe taksapaguesi më i madh në Shqipëri,” tha Maluta me krenari. “Ne kemi bërë analiza të thelluara dhe ‘diligjencën’ e duhur për kreditë që kemi dhënë,” shtoi ai.
Kredi ‘offshore’
Për shkak të rolit të rëndësishëm që bankat e nivelit të dytë kanë në ekonominë e vendit, ato kanë detyrime të qarta për sa i parandalimit të pastrimit të parave. Bazuara në përvojën ndërkombëtare edhe në Shqipëri sistemi i parandalues për pastrimin e parave është i instaluar në banka dhe është i bazuar në raportimin e aktivitetit të dyshimtë [RAD]. Përveç bankave në këtë sistem përfshihen një gamë e gjerë subjektesh raportuese – si noterët, përmbaruesit dhe kompanitë e ndërtimit, por sistemi bankar mbetet furnizuesi kryesor i rasteve të dyshimta.
Sipas ligjit subjektet raportuese monitorohen në aktivitetin e tyre nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Në periudhën 20 shkurt – 15 mars 2017, DPPP së bashku me Bankën e Shqipërisë ndërmorën një inspektim të Bankës Kombëtare Tregtare, në lidhje me “respektimin e kuadrit ligjor në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe masat kundër financimit të terrorizmit.”
Banka Kombëtare Tregtare është në pronësi të konglomeratit turk “Calik Holding’, i cili deri në vitin 2012 drejtohej nga Berat Al Bayrak -Ministër i Financave i Turqisë dhe dhëndër i Presidentit Recep Tayip Erdogan. Përveç Bankës Kombëtare Tregtare në Shqipëri grupi Calik zotën dhe kompaninë Albtelekom dhe disa hidrocentrale.
Si pjesë e inspektimit është verifikuar nëse BKT ka realizuar rekomandimet e inspektimeve të mëparshme, si dhe masat e marra për mangësi të konstatuara në dokumentacionin e saj për disa klientë me depozita më të mëdha se 10 milionë lekë.
Inspektimi i ndërmarrë nga DPPP ka konstatuar se BKT ka dhënë dy kredi bankare ndaj dy kompanive të regjistruara në Zvicër më vlerë 56 milionë euro. Kompania ‘Zentis AG’ ka marrë një kredi prej 33 milionë euro, ndërkohë BKT ka disbursuar ndaj kompanisë ‘Racolas Holding AG’ një kredi prej 23 milionë euro. Të dy këto subjekte kanë qenë të regjistruara me Aksione Prurësi.
Aksionet e Prurësit (Bearer Shares) – janë aksione të pa regjistruara në ndonjë autoritet që merret me regjistrimin e letrave me vlerë. Individi që e zotëron Certifikatën e Aksioneve të Prurësit, gëzon me të drejta të plota “Titullin e Pronësisë” dhe njihet si pronari i certifikatës së aksioneve. Këto aksione janë lehtësisht të transferueshme dhe mund të kalohen në pronësi të një personi tjetër, pa qenë i nevojshëm plotësimi i asnjë dokumentacioni.
Sipas dokumenteve gjyqësore pagesat e kredive të marra nga ‘Racolas Holding AG’ dhe ‘Zentis AG,’ është realizuar nga palë të treta. Për një nga këto kompani – ‘Awasl General Trading FZE’ nga Dubai, e cila ka kryer transferta për llogari të kompanive zvicerane për një vlerë totale prej gati 2.6 milionë euro, BKT nuk disponon informacion.
Maluta i kontestoi përfundimet e DPPP-së duke nënvizuar se kompanitë në formë trusti nuk janë të paligjshme.
“Banka nuk është akuzuar për skema pastrim parash,” tha ai, duke ju referuar akt-inspektimit të DPPP-së. “Gjithmonë ka vend për përmirësime,” shtoi Maluta.
DPPP nënvizon në gjykatë se një nga klientët e BTK-së ka qenë dhe ‘GAP Insaat’ – një kompani e Calik Holding e përfshirë në sipërmarrjen e ndërtimit në Turkmenistan, Turqi, Kazakistan, Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila ka pasur gjithashtu kalime ndaj kompanive të treta.
Këstet e kredisë të marrë nga kompania ‘Ersan Group,’ janë likuiduar nga shoqëria ‘GAP Insaat’ me anë të transfertave të ardhura nga kompania ‘Calik Holding Anonim Sirketi,’ në Turqi, e cila zotëron 99,3% të aksioneve dhe është njëkohësisht dhe aksionare e vetme e BKT-së.
Fatih Karli, drejtor i bankingut individual në BKT, i tha BIRN se Ersan Transport ishte një nënkontraktor i kompanisë GAP Insaat dhe pagesat kishin pasur qëllim të siguronin pagesa punëtorësh. Ai shtoi se biznesi i BKT-së nuk kufizohet në Shqipëri por ishte një biznes global që përfshinte dhe investime në tregje financiare.
“Ne po bëjmë para nga e gjithë bota,” tha ai.
Kolegu i tij Maluta tha se kreditë e bankës drejt grupi Çalik janë rreth 30 milionë euro, për kjo shumë nuk përfshinte kalimet e bëra në favor të grupit ‘Ersan’.
“Kreditë tona ndaj grupit Çalik nuk i kalojnë 10 % të kapitalit,” nënvizoi ai,
Prapësimet e BKT-së
Në padinë e ngritur në Gjykatën Administrative në Tiranë, BKT e ka kundërshtuar aktin e inspektimit të DPPP-së dukë kërkuar shfuqizimin e gjobave të vendosura ndaj për një total prej 5 milionë lekë. Banka ka nënvizuar se ligji shqiptar nuk e ndalon marrëdhënien me kompani në formë trusti si ‘Zentis AG’ dhe ‘Racolas Holding AG,’ ndërkohë që nënvizon se banka ka krye verifikimin e plotë të pronësisë së tyre dhe vendosja e marrëdhënies së biznesit me to është shoqëruar me analiza të hollësishme.
Sipas BKT-së, përpara vendosjes së marrëdhënies së biznesit me dy kompanitë ‘offshore’, ajo ka kryer një kontroll nëpërmjet burimeve të hapura si ‘World–Check’ dhe disa listave të zeza ndërkombëtare.
“Nga kontrolli i kryer nuk ka rezultuar që subjektet apo aksionerët/përfaqësuesit ligjor të jenë apo të kenë qenë, pjesë e ndonjë liste të publikuar nga ndonjë shtet i huaj apo skandali mediatik në lidhje me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit,” shprehet BKT në prapësimet e saj.
Ndërkohë për kreditë e ndërmjetësuara nëpërmjet kompanisë GAP Insaat, BKT është justifikuar duke u shprehur se midis saj dhe grupit ‘Ersan’ ka pasur një marrëdhënie të gjatë biznesi.
“Calik Holding AS ka një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi me shoqëritë Ersan Transport që merret me transport dhe shitblerje të aseteve fikse – projekte ndërtimore në zhvillim, për pasuri të patundshme në qytetin e Stambollit, sheshi Taksim,” shprehet BKT.
BKT ishte ‘neglizhente’
Në prapësimet e bëra në Gjykatën Administrative si palë e paditur, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, shprehet se në vendosjen e masave administrative ndaj BKT-së janë marrë parasysh kriteret e parashikuara në aktet nënligjore si dhe vlera e lartë e transaksioneve me probleme.
Sipas DPPP-së të dhënat e paraqitura nga Banka Kombëtare Tregtare në lidhje me përmbushjen e detyrimit për zbardhjen e strukturës së pronësisë së kompanive ‘Zentis AG’ dhe ‘RacolasHolding AG,’ nuk japin të dhëna të mjaftueshme.
“Mbajtësit e aksioneve respektivisht G.U. dhe H. H. O., nuk përcaktohet të jenë aksionerë të vetëm dhe mbajtës të 100% të aksioneve të këtyre shoqërive,” shkruhet në prapësimet e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.
DPPP shton gjithashtu se BKT ka dështuar të prodhojë të dhëna për strukturën e pronësisë të ‘Amia International Limited,’ e cila është garantore për një kredi për kompaninë AGM . Amia International Limited rezulton është në pronësi të‘BSB Arabia Limited’ dhe përfaqësohet Z. Bader Al-Othman.
Të dhënat e AGM – një kompani konsulence ligjore e regjistruar në Dubai, nuk janë të përditësuara në BKT. Gjithashtu, dokumenti i identifikimit i i z. Bader Al-Othman ka skaduar në vitin 2012 dhe nuk është përditësuar.
“Në lidhje me sa pretendohet nga ana e palës paditëse se vlera e masës administrative është e lartë, prapësojmë duke argumentuar se madhësia e kapitalit të palës paditëse është aq e lartë saqë vlera e gjobës është e papërfillshme për rrjedhojë nuk përbën asnjë dëm ekonomik,” shprehet DPPP.
“Numri shkeljeve është i lartë dhe subjekti është treguar tejet neglizhent në përmbushjen e detyrimeve ligjore; qëndrimi jo pranues ndaj shkeljeve rëndon dhe vlerësimin e masës së gjobës, pala paditëse duke mos pranuar shkeljet nënkupton që do vijojë të jetë në mospërmbushje të detyrimeve,” përfundoi ajo.
Pasi ka marrë në shqyrtim pretendimet dhe prapësimet e palëve, gjyqtari Emiljano Ruli ka vendosur të rrëzojë padinë e ngritur nga BKT, duke lënë në fuqi masat administrative me vlerë 5 milionë lekë ndaj bankës. Ky vendim është ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit.