Sali Berisha e ka quajtur lirimin nga detyra të Damian Gjiknurit si sekretar i Përgjithshëm i PS-së, “flakje me këshillën për t’u arratisur”. Gjatë fjalës së tij, Berisha e quan Gjiknurin “viktimë e fundit” në dosjen e inceneratorëve.
Për kryetarin e PD-së, Berishën, dyert e mbyllura të Asamblesë Kombëtare të PS-së ishin “fytyra e vërtetë e mafies shtetërore”.
Sali Berisha: “Asambleja e mafies shtetërore më të rrezikshme në Europë, pas asaj Putin-Lukashenko, u mbyll siç filloi, nën flakët e djegësave. Ajo çka mund të thuhet me siguri nga ky zhvillim 50-minutësh është se djegësat po përzhitin, po përcëllojnë me flakët e tyre, ndonëse nuk janë ndërtuar, mazhorancën mafioze të Edi Ramës. Mafia shtetërore më e rrezikshme në Europë, u mblodh me dyer të mbyllura pasi vendi është në flakë. U mblodh me dyer të mbyllura pasi prokuroria speciale, në një dosje 310 faqe, ka tronditur si një tërmet 8-ballësh, mafien më të rrezikshme të Europës.
Ka tronditur sepse ka sjellë edhe njëherë në skenë për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar, vjedhjen e shekullit dhe të gjithë organigramën e piramidës së vjedhjes së shekullit me në krye Edi Ramën. Ajo dosje që rëndom mund të quhet dosja ‘Ahmetaj’, në çdo rresht, në çdo fjalë, në çdo kuptim dhe çdo nënkuptim, është dosja Rama, dosja Agaçi, dosja Veliaj. Ndonëse viktima e fundit, Damiani, që u flak sot si Arben Ahmetaj, natyrisht me këshillën për t’u arratisur, dosja dhe flakët e saj kanë përcëlluar deputetë, ministra të tjerë e me radhë. Ndaj dhe lokali i bukur i pronarit të vet, u shndërrua në shpellë mafie për një orë. Nuk kam asgjë me lokalin, por dyert e mbyllura ishin fytyra e vërtetë e mafies shtetërore”.
Berisha thotë se dyert e mbyllura të Asamblesë janë aktakuzë në vetvete dhe se dosja e inceneratorëve po e shpërbën Partinë Socialiste të cilën e quan “mazhorancë mafioze”.
Sali Berisha: “Asambleja e mafies shtetërore më të rrezikshme në Europë u mbyll pas turpit të arratisjes së shekullit, numrit 2 të qeverisë, bashkëpunëtori më i afërt i Edi Ramës u arratis me porosi të këtij fundit, pasi dekonspiroi kërkesën për arrest që do adresonin prokurorët e çështjes për parlamentin. Në këtë kontekst, dyert e mbyllura janë aktakuzë në vetvete. Pra, janë dëshmi e fajësisë të kupolës së plehrave Rama-Agaçi-Veliaj-Gjiknuri, shumë të tjerë, Balluku është e implikuar gjatë dy viteve të fundit, etj, etj. Dosja po shpërbën tërësisht këtë mazhorancë mafioze, këtë kupolë mafioze se nuk është mazhorancë. Edi Rama është i gatshëm që të shesë secilin prej tyre për të shpëtuar lëkurën e tij. Por vetë është i pashpresë. Socialistëve të ndershëm iu bëj thirrje ta shohin këtë proces shpërbërje si një proces shpëtimi të tyre, se ky është një klan uzurpator, që e shndërroi partinë e tyre në parti krimi. Zyrtarëve u bëj thirrje të heqin çdo shpresë. Do ju rrëfej në mirëbesim një gjë, një moment shumë domethënës të Edi Ramës me Vangjush Dakon. Në një darkë intime, në një rreth të ngushtë, ku i ftuar para pak kohësh ishte Vangjush Dako, Edi Rama ngrihet dhe habit ata pak të pranishëm që ishin. Dollinë e parë nuk e ngriti për sebepin për të cilin ishin mbledhur. Këtë dolli do e ngre për Vangjush Dakon, mikun më të shtrenjtë në PS. Shkoni dhe pyesni Dakon po nuk e besuat këtë, i cili ka kaluar çdo veting, por edhe vetingun, por për hir të privacisë nuk po e them të kujt, se unë jam njeri që respektoj normat e privacisë. Thashë t’ua them këtyre ministrave, fajtorë, këtyre mëkatarëve, se Edi Rama do u flakë një e nga një, siç flaku më të shtrenjtin mik të tij në PS. Po të doni, komunikoni me të, po nuk e besuat”.
Teksa e quan Gjiknurin “kufomë politike të pakallur”, Berisha thotë se ai është në hetim kombëtar për inceneratorët, por edhe ndërkombëtar për aferën McGonigal.
Sali Berisha: “Largimi i Gjiknurit ishte…Gjiknuri është një kufomë politike e pakallur me dy hetime të tmerrshme, një kombëtar dhe një ndërkombëtar. Është në hetim kombëtar për aferën e inceneratorëve, por në një vepër penale bashkautor me Edi Ramën dhe shpejt do e sjellin këtu, Gjiknuri është në hetim ndërkombëtar për aferën McGonigal, dhe Edi Rama kujton se do e kalojë Lanën duke hedhur Gjiknurin. Jo, do bjerë vetë. Çështja McGonigal i rri si shpatë Damokleu. Asambleja më shumë foli me dyert e mbyllura të saj. Të dashur qytetarë dhe qytetare. U mblodhën si në bodrum se kanë frikë dhe tmerr nga ju. Jo vetëm ju, por edhe anëtarësia e PS. Nuk ndjejnë asnjë detyrim ndaj saj. Tani me moton erdhëm, vodhëm, ikim, ata nuk pyesin për asnjë njeri. Ndaj dhe ka vetëm një zgjidhje dhe kjo zgjidhje është në duart tuaja. Kjo zgjidhje nuk është në duart e askujt tjetër përveç njerëzve të lirë, njerëzve idealistë që vendosin të përballen dhëmbë për dhëmbë me këtë mafie të rrezikshme dhe t’i japin përgjigjen që meriton. Unë kam besim se së shpejti, shqiptarët do flasin me zërin e tyre”.