Koronavirusi i ka marrë jetën këtë të mërkurë një gruaje 73-vjeçare, e cila ndodhej e shtruar në spitalin e Durrësit. Në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet e tij, ndërsa apeloi qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të ndjekin rekomandimet e autoriteteve.
“Me hidhërim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të qytetares 73-vjeçare nga Durrësi të konfirmuar me COVID-19. Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe gjithë të afërmve të saj, u shpreh të gjithë solidaritetin tim në këto momente tepër të vështira! Edhe njëherë apeloj me forcë për çdo qytetar të tregojë kujdes maksimal dhe të zbatojë me rigorozitet të gjitha këshillat dhe rekomandimet e autoriteteve!”, shkruan Presidenti.
73-vjeçarja humbi jetën si pasojë e komplikacioneve të rënda. Gruaja vuante nga disa sëmundje kardiake e pulmonare. E moshuara kishte 10 ditë që ishte kthyer nga Italia dhe kishte shkuar në spital me shenja gripi, ku qëndronte prej 1 jave.