Një aksident i rëndë me të paktën 11 të vdekur dhe mbi 50 të tjerë të plagosur u regjistrua në pjesën veriperëndimore të Turqisë.
Të dhënat paraprake bëjnë me dije se në aksidentin që u regjistrua në autostradën e Marmarasë u përfshinë 7 automjete, 3 prej të cilëve autobusë dhe një kamion.
Forcat e ndihmës së shpejtë shkuan menjëherë në vendngjarje, teksa shkaqet e këtij aksidenti të rëndë janë ende të paqarta. Ndërkohë, mediat turke kanë publikuar edhe pamjet me dron nga lartësia që tregojnë shkatërrimin në rrugë dhe mjegullën e dendur, që dyshohet të ketë shkaktuar aksidentin.
Guvernatori i Sakaryas duke folur pas aksidentit të tmerrshëm u shpreh se shumë nga viktimat humbën jetën pasi dolën nga automjetet e tyre dhe u përplasën nga të tjera automjete që nuk kishin fushëpamje.
Guvernatori Karadeniz deklaroi më tej se, të plagosurit janë dërguar në spitale dhe puna e ekipeve në rajon vazhdon. Ekipet vijojnë largimin e automjeteve nga rruga në rajonin ku ka mjegull të dendur.
“Aksidenti është shkaktuar fillimisht nga përplasja e disa makinave me kamionë të tonazhit të rëndë. Mendohet se disa nga personat që kanë humbur jetën në aksident kanë zbritur nga automjetet e tyre dhe janë goditur nga mjete të tjera që vinin nga pas”, u shpreh në deklaratën për mediat guvernatori.