Policia e Shtetit ka sekuestruar 150 mijë euro dhe rreth 165 mijë paund britanik të fshehura në një kamion. Kështu, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shuma”, është vënë në pranga drejtuesi i kamionit që transportonte paratë dhe tentoi t’i fuste ato në Shqipëri, nëpërmjet portit të Durrësit, pa i deklaruar.
“Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit u kalua për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, kamioni që drejtohej nga shtetasi D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit.
Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e poseduesit/sve të këtyre shumave të parave në euro dhe në paund”, deklaroi Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Kujtojmë se, ky është rasti i 5-të i tentativës për futjen e shumave të mëdha të parave të padeklaruara, i goditur nga Policia e Shtetit, gjatë muajve të fundit.