Aktualitet “Vis Martinaj u pre në besë”, Artan Hoxha: E kapi një skuadër...

“Vis Martinaj u pre në besë”, Artan Hoxha: E kapi një skuadër me uniformë, çfarë dukej në videon e shumëpërfolur

Zhdukja e Ervis Martinajt vijon të mbetet mister. Gazetari Artan Hoxha ka nxjerrë detaje të reja nga ditët e fundit që Martinaj është bërë i gjallë nëpër Tiranë.

Hoxha u shpreh në studion e lajmeve në ABC, se hera e fundit që është parë Ervis Martinaj, ka qenë në “trekëndëshin e Bermudës” Tiranë-Fushë Krujë-Durrës”.

Sipas Hoxhës, Martinaj në mbrëmjen e 9 gushtit të këtij viti ka shkuar në një banesë të një personi shumë të fuqishëm, duke kërkuar të bënte aleancë me të. Por në këtë banesë papritur kanë shkuar një skuadër me uniforma si të skuadrës speciale të policisë.

Në një moment ka shkuar edhe një mesazh në familjen e Ervis Martinaj duke u kërkuar që të bëjnë kujdes së mund të ketë kontrolle në banesë.

Sipas Hoxhës skuadra, Martinaj është prerë në besë dhe është shitur nga ata që e kishin ftuar në banesë. Skuadra në fjalë e ka marrë Martinaj dhe e kanë transportuar në një vend të sigurt.

“Për këtë ngjarje thuhet se në botën e krimit ka qarkulluar edhe një video ku shihet një person, por nuk dallohet qartë nëse është në të vërtete Ervis Martinaj. Në një fragment në këtë video personi që duket në të, thuhet se u ka ofruar 50 milionë euro personave që e kanë rrëmbyer vetëm që të lirohet”, shprehet Hoxha.

Hoxha ka shtuar po ashtu se skuadra që dyshohet se ka marrë Ervis Martinaj, ka dalë vetëm 5 herë në qarkullim dhe në këto lëvizje goditjet kanë qenë precize.

Itinerari

Hoxha tha se Martinaj ka ikur më datë 1 gusht nga Vora për në Vlorë duke takuar atje një personazh të njohur të krimit, të cilit i kanë bërë katër herë atentat dhe nuk e kanë vrarë dot. Hoxha tha se Martinaj shkoi në Vlorë për të kërkuar aleanca të reja, nisur edhe nga fakti se edhe grupi i personave që kërkojnë ta ekzekutojnë janë po nga ajo zonë.

Sipas gazetarit të ABC, Martinaj ka qëndruar në Vlorë deri më datë 5 gusht dhe në atë datë është kthyer për në Vorë po me këtë person.

Më pas, Martinaj ka ardhur më datë 6 gusht sipas gazetarit Artan Hoxha në një qendër tregtare në Tiranë ku ka takuar një person. Më pas Martinaj ka shkuar në një kafe përballë një qendre tregtare në autostradën Tiranë-Durrës.

Sipas Hoxhës, Martinaj është kthyer më datë 7 në Tiranë duke ndjekur të njëjtin itinerar.

“Thonë që ai fshihej në një kullë, në fakt ai hidhte valle nëpër Tiranë sepse kishte informacion dhe përfitonte se askush nuk e njihte. Madje, edhe policët nuk raportonin”, tha Hoxha.

“Gazetari tregon se Martinaj ka dërguar dy SMS më datë 9 gusht, ku SMS i parë lidhet me ushqimin e këlyshit të tigrit që ai ka në shtëpi. Pastaj u dërgua edhe një SMS tjetër ku pyeste për familjarët. Pastaj nuk ka më gjurmë të tij”, tha Hoxha.

Hoxha tha se ka qarkulluar një video e një personi me pamje të mjegulluar ku ofronte 50 milion euro që ta linin të lirë.

“U tregua si trofe i kundërshtarëve ndaj Ervis Martinajt. Duhet verifikuar zëri aty se i kujt është”, tha Hoxha.

Sipas tij ka ndodhur një tërmet në botën e krimit dhe gjithçka që nisi në vitin 2018 duket se është finalizuar gjatë kësaj vere dhe gjatë dhjetë viteve të ardhshme do të kemi një panoramë tjetër të krimit të organizuar në vendin tonë.

“Unë e kam thënë edhe më herët. Po ndodh një reformë në krimin e organizuar. Tani është duke ndodhur kalimi nga një etapë e mëparshme e krimit në një etapë tjetër. Tani, gjatë kësaj vere po finalizohet ajo që nisi në vitin 2018. Kaq e rëndësishme është ajo që ka ndodhur këtë verë e bën të zymtë situatën në Shqipëri. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme do të kemi një panoramë tjetër të krimit të organizuar në Shqipëri”, tha Hoxha.

“Po ndodh një tërmet në botën e krimit të organizuar. Kjo verë ishte një vijë demarkacioni mes periudhës së mëparshme dhe periudhës së ardhshme”, tha Hoxha. Ngjarja më e bujshme e kësaj vere është zhdukja e Ervis Martinajt.